Një aksident i rëndë rrugor ndodhi sot në aksin Vlorë-Orikum, pranë fshatit Radhimë me pasojë një viktimë.
Tre automjete u përfshinë në një përplasje që dyshohet se erdhi për shkak të një parakalimi të gabuar. Sipas informacioneve si pasojë e përplasjes së fortë, një fugon dhe një automjet u përfshinë nga flakët, duke u shkrumbuar plotësisht.
Viktima, drejtues i njërit prej automjeteve, humbi jetën në vendngjarje. Për shkak të dëmtimeve të rënda të automjetit pas përplasjes, trupi i tij mbeti i bllokuar, ndërsa ekipet e zjarrfikësve punuan për nxjerrjen e tij.
Nga aksidenti mbetën të dëmtuar lehtë edhe pesë pasagjerë me shtetësi egjiptiane, të cilët ishin në një prej makinave. Ata u transportuan drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Shërbimet policore po punojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit.