Aktualitet

U përplas në aksin Lezhë-Milot, ndërron jetë 71-vjeçari!

Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë 71-vjeçari Preng Gjoka, i cili mbeti i plagosur rëndë pas një aksidenti rrugor të ndodhur mëngjesin e 4 korrikut në aksin Lezhë-Milot.

Ngjarja ndodhi pranë kryqëzimit të Rriles, ku i moshuari, teksa po lëvizte me biçikletë, u përplas nga një automjet tip “Benz” me targa të Kosovës. Si pasojë e goditjes, pësoi dëmtime të rënda dhe fillimisht u transportua në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku mori ndihmën e parë mjekësore, e më pas u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, për fat të keq nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë pas disa javësh në spital.

Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit u shoqërua dhe u ndalua nga Policia, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të ngjarjes vijojnë.