Rajoni

Aksident në Maqedoninë e Veriut, tre shtetas të Kosovës të zhdukur/Makina e tyre bie në lumin Lepenc!

Tre qytetarë të Kosovës rezultojnë të zhdukur pas një aksidenti rrugor në Maqedoninë e Veriut ku makina e tyre përfundoi në lumë. Njësitë speciale të policisë dhe të drejtorisë për operacionet e mbrojtjes e të kërkimit vazhdojnë të kërkojnë në ujërat e Lepencit pranë Shkupit, disa kilometra larg vendkalimit kufitar mes dy shteteve në Bllacë.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, automjeti ku udhëtonin katër persona, shtetas të Kosovës u përplas me një tjetër me targa të Shkupit dhe më pas ra në lumë. Vetëm njëri prej tyre doli nga makina. Në njoftimin zyrtar thuhet:

Aksidenti ndodhi në rrugën Shkup-vendkalimi kufitar Bllacë, kur në një aksident trafiku janë përfshirë një veturë Volkswagen me targa të Shkupit, e drejtuar nga B.B. nga Shkupi dhe një veturë BMW me targa të Kosovës, e drejtuar nga H.P. nga Kosova, e cila pas aksidentit ra në lumin Lepenc. Në automjetin BMW, përveç shoferit, ndodheshin edhe tre pasagjerë. Një person është nxjerrë nga lumi e është transferuar në spitalin “8 Shtatori”, ndërsa për tre të tjerët policia vazhdon kërkimin.

Nga burime zyrtare mësohet se në momentin e aksidentit, pati prurje të mëdha të lumit Lepenc, për shkak të reshje të rrëmbyeshme të shiut.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Prishtinë njoftoi se ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla shkuan në vendin e ngjarjes, të shoqëruar nga zëvendësministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Nazim Bushi.

Përmes procedurave të përshpejtuara, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka lehtësuar e koordinuar kalimin e njësiteve të specializuara të kërkim-shpëtimit nga Kosova për në territorin e Maqedonisë së Veriut, pas kërkesës së autoriteteve maqedonase.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit, sipas MPJD-së, po marrin pjesë edhe njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës e të Policisë së Kosovës.