Bota Celebrities

Aktivisti konservator Charlie Kirk qëllohet me armë gjatë një aktiviteti në Utah!

Charlie Kirk, aktivisti i njohur i krahut të djathtë, aleat i ngushtë i Donald Trump dhe drejtor ekzekutiv i Turning Point USA (TPUSA), është plagosur me armë zjarri të mërkurën gjatë një aktiviteti në Universitetin e Luginës së Utah-ut.

Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, Kirk shihet duke u goditur ndërsa mbante fjalim si pjesë e “Turneut të Rikthimit Amerikan”.

Studentët e pranishëm u panë duke u larguar me panik pas të shtënave.

Sot rreth orës 12:10, u qëllua me armë zjarri drejt folësit vizitor Charlie Kirk. Ai u godit dhe u largua nga vendi i ngjarjes nga sigurimi i tij. Një i dyshuar është arrestuar dhe policia e kampusit po heton

-thuhet në deklaratën e universitetit, i cili ka mbyllur kampusin dhe ka anuluar mësimet deri në njoftim të dytë.

Sipas zyrtarëve, i dyshuari ka qëlluar nga një ndërtesë rreth 200 jardë larg vendit të ngjarjes dhe nuk ka qenë student i universitetit.

Reagimet kanë qenë të menjëhershme.

Senatori i Utah-ut, Mike Lee, bëri thirrje për lutje për Kirk dhe studentët e pranishëm. Senatores nga Florida, Ashley Moody, tha se zyra e saj po monitoron situatën, ndërsa vetë Donald Trump shkroi në Truth Social:

Të gjithë duhet të lutemi për Charlie Kirk, një djalë i shkëlqyer nga fillimi deri në fund. Zoti e bekoftë!


Zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari i mbrojtjes Pete Hegseth gjithashtu shprehën solidaritet dhe lutje për shërimin e shpejtë të aktivistit konservator.