Gossip Showbiz

Aktori i njohur akuzohet për katër raste kontakti seksual me një fëmijë?

Një juri e madhe në shtetin amerikan të New Mexico-s ka miratuar ngritjen e akuzave penale ndaj aktorit dhe regjisorit Timothy Busfield, duke e vënë atë përballë katër akuzave për kontakt seksual me një të mitur, sipas autoriteteve vendore.

Prokurori i Qarkut Bernalillo, Sam Bregman, e bëri publike çështjen të premten përmes rrjeteve sociale, duke sqaruar se ngjarjet për të cilat Busfield akuzohet dyshohet se kanë ndodhur gjatë kohës kur ai ishte i angazhuar si regjisor në xhirimet e serialit televiziv “The Cleaning Lady”.

Më herët, ndaj Busfield ishte lëshuar një urdhër arresti për akuza të lidhura me sjellje të papërshtatshme.

Aktori ka mohuar çdo pretendim, është paraqitur vullnetarisht para autoriteteve dhe është liruar më pas, pasi gjykata vendosi se nuk përbënte rrezik të menjëhershëm për publikun.

Timothy Busfield është një emër i njohur në industrinë e argëtimit, veçanërisht për rolin e tij në serialin “The West Wing”, si edhe për paraqitjet në filma të famshëm si “Field of Dreams” dhe “Thirtysomething”, duke ndërtuar një karrierë disa dekadëshe në televizion dhe kinema.

Nga ana tjetër, avokati i tij mbrojtës, Larry Stein, ka shmangur komentet direkte mbi akuzat për kontakt seksual, por ka theksuar se juria e madhe nuk ka miratuar akuzat për ngacmim seksual të kërkuara nga prokuroria.

Sipas Stein, gjatë seancës për masën e sigurisë janë evidentuar “dobësi thelbësore në provat e shtetit”, të cilat, sipas tij, nuk mund të justifikohen apo mbulohen nga aktakuza e ngritur.