Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm, pasi Uashingtoni ka ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj objektivave iraniane.
Sipas autoriteteve amerikane, janë goditur 80 objektiva të lidhura me regjimin iranian. Ndërkohë, portali Axios raportoi se operacioni ishte rreth pesë herë më i madh, si për nga shtrirja ashtu edhe për fuqia, krahasuar me sulmet e kryera në fund të muajit qershor.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike (Pasdaran) njoftoi se ka goditur instalacione ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt, ndërsa autoritetet iraniane akuzuan Shtetet e Bashkuara për shkeljen e memorandumit të mirëkuptimit mes palëve.
Presidenti amerikan Donald Trump, gjatë samitit të NATO-s në Ankara, paralajmëroi se sulmet mund të vazhdojnë edhe në orët në vijim.
“Ndoshta do t’i godasim përsëri me forcë në orët e ardhshme”, deklaroi Trump.
Në reagim ndaj kërcënimeve amerikane, një burim i sigurisë iraniane i tha mediave shtetërore se Irani do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit nëse SHBA ndërmerr sulme të tjera.
Edhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, reagoi përmes rrjetit social X, duke deklaruar:
“Epoka e bullizmit dhe shantazhit ka marrë fund. Kjo nuk çon askund dhe ne nuk do të dorëzohemi.”
Ndërkohë, përshkallëzimi i situatës ka ndikuar edhe në tregjet financiare. Bursat evropiane kanë shënuar rënie, ndërsa çmimi i naftës është rritur ndjeshëm. Nafta e tipit Brent i është afruar nivelit të 80 dollarëve për fuçi, mes frikës për ndërprerje të furnizimit global në rast të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit.