Aktori amerikan Timothy Busfield është liruar nga paraburgimi dhe do të mbrohet në liri, pasi një gjykatë në New Mexico vendosi se rreziqet në këtë çështje mund të kontrollohen përmes kushteve të rrepta të lirimit.
Vendimi u mor pas një seance dy-orëshe, gjatë së cilës gjykata vlerësoi se nuk ekzistojnë prova për një model të vazhdueshëm sjelljeje kriminale apo shkelje të mëparshme të urdhrave gjyqësore nga ana e aktorit.
Megjithatë, Busfield do të jetë nën masa strikte: atij i ndalohet çdo kontakt me viktimat e dyshuara dhe me të miturit, i është ndaluar mbajtja e armëve, konsumimi i alkoolit dhe drogës, si dhe është i detyruar të paraqitet rregullisht para autoriteteve gjyqësore.
Aktori përballet me akuza shumë të rënda, përfshirë kontakt seksual me të mitur dhe abuzim me fëmijë, të lidhura me dy djem 11-vjeçarë gjatë xhirimeve të serialit “The Cleaning Lady”.
Ai u dorëzua vullnetarisht më 13 janar dhe ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Situata u komplikua edhe më tej pas publikimit të urdhrit të arrestit, kur u shfaq një pretendim tjetër për ngacmim seksual që daton në vitin 2001.
Edhe këtë akuzë, Busfield dhe avokati i tij e kanë mohuar, duke theksuar se bëhet fjalë për një pretendim të paprovuar dhe të lidhur me ngjarje shumë të vjetra.
Çështja mbetet nën hetim, ndërsa aktori do ta përballet me drejtësinë në liri, nën mbikëqyrje të rreptë ligjore.