Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur këtë të hënë konkluzionet përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj shtetasve Fatime Kryemadhi, Ema Çoku dhe Pirro Xhixho.
Tre të pandehurit janë pjesë e dosjes hetimore ku përfshihen edhe ish-presidenti Ilir Meta dhe deputetja Monika Kryemadhi, por procesi ndaj tyre po zhvillohet me gjykim të shkurtuar.
Në seancën e sotme, SPAK ka renditur një sërë gjetjesh financiare, të cilat i konsideron të pajustifikuara nga burime të ligjshme, duke argumentuar skemën e dyshuar të pastrimit të parave dhe korrupsionit.
Kredi të shlyera me “cash”
Sipas strukturës së posaçme, nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi – e cila akuzohet për pastrim parash, – nuk justifikon burimin e ligjshëm për shuma të konsiderueshme monetare që arrin në mbi 700 mijë euro:
98,000 euro dhe 246,000 dollarë me burim të paprovuar
100,000 euro të deklaruara si pagesa nga kompania “Agi Cons” për shlyerje kredish
310,000 euro të tjera të konsideruara tërësisht të pajustifikuara
Në rindërtimin e skemës, SPAK sqaroi se për blerjen e disa apartamenteve janë marrë dy kredi bankare, por ato janë shlyer me para në dorë (cash) pa burim të ligjshëm. Prokuroria hodhi poshtë pretendimet e mbrojtjes për huate private, duke theksuar:
“Deklaratat noteriale janë përpiluar pasi Fatime Kryemadhi është marrë në pyetje nga organi i akuzës. Personat e pyetur në lidhje me huatë në para cash nuk kanë asnjë gjurmë të deklarimit të shumave monetare në pikat e kalimit kufitar.”
Ndonëse më herët Fatime Kryemadhi kishte kërkuar të hiqte dorë nga gjykimi i shkurtuar duke pretenduar pafajësinë, Gjykata e Posaçme e ka refuzuar këtë kërkesë, duke vijuar procesin me procedurë të posaçme.
Roli i Ema Çokut
Për të pandehurën tjetër, Ema Çoku, e cila gjithashtu akuzohet për pastrim parash, SPAK ka argumentuar se ka pasur një lidhje të ngushtë me Monika Kryemadhin, e provuar përmes komunikimeve të shpeshta dhe transaksioneve bankare.
Sipas akuzës, Çoku ka tentuar të mbulojë dhe justifikojë veprimet e të pandehurve të tjerë përmes deklaratave noteriale, ku pretendonte se i kishte dhënë Fatime Kryemadhit një hua prej 240,000 eurosh. Megjithatë, SPAK zbuloi se në të njëjtën periudhë, Ema Çoku ishte debitore e madhe në bankat e nivelit të dytë dhe nuk kishte asnjë mundësi financiare për të dhënë shuma të tilla apo donacione.
Mbi kompaninë e Çokut rëndojnë edhe gjetje të tjera: Pagesa faturash hoteli për shtetas të huaj që kishin ardhur në Shqipëri për të mbështetur Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI) dhe mbulim i shpenzimeve të ndryshme për aktivitete të Lëvizjes Rinore për Integrim (LRI).
Ndërsa për Fatime Kryemadhin, Ema Çokun (të akuzuara për pastrim parash) dhe Pirro Xhixhon (i akuzuar për korrupsion) procesi po shkon drejt fundit me gjykim të shkurtuar pas pranimit të akteve të dosjes, për dy personazhet kryesore të kësaj çështjeje, Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, gjykimi po zhvillohet me procedurë të zakonshme.
Seanca e radhës për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta (i arrestuar që prej datës 21 tetor 2024), dhe të bashkëpandehurit e tjerë në procesin e zakonshëm është caktuar të mbahet më 29 korrik, në orën 10:00.