Aktualitet

Akuzohet për vrasje dhe grup kriminal, ekstradohet sot nga Dubai, Denis Bajri!

Pritet të ekstradohet ditën e sotme në Shqipëri, Denis Bajri (Bajroviç) njëri prej anëtarëve të fisit Bajri që ishte shpallur në kërkim për vrasje e grup kriminal.

37 vjeçari ishte arrestuar në Dubai që më 27 shkurt të vitit 2024 në pritje të ekstradimit që do të kryhet ditën e sotme duke shënuar kështu një tjetër rast të thyerjes së “mitit të paprekshmërisë” së kriminelëve që strehohen në Dubai.

Ndaj Bajrit rëndon akuza e vrasjes së Gjin Boriçit, ngjarje e ndodhur në 2020-ën në Vaun e Dejës me porosi të dhënë nga Behar Bajri, ndërsa kërkesa ishte bërë nga biznesmeni i zhdukur Ervis Martinaj.

“Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal”– thuhet në njoftimin e policisë.

Në vitin 2023 u ekstradua nga Franca, Behar Bajri i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë veprash të rënda penale.

Ai rezulton i përfshirë edhe në dosjen “Metamorfoza” ku përmenden emra të kriminelëve të tjerë të rrezikshëm, biznesmenëve e deri tek zyrtarë policie që aktualisht janë nën masë arresti.

Më 21 shkurt të këtij viti, me urdhër të SPAK u arrestua Safet Bajri i njohur si “i forti i Shkodrës”. Ndaj tij rëndojnë akuzat për vrasje dhe grup të strukturuar kriminal.