“Plani europian përbën një avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë si dy shtete që e njohin shtetësinë njëra-tjetrës de facto. Çështja e Asociacionit do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimit, i cili mund të krijohet nëse plotësohet 6 parimet”. Kështu deklaroi sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi:
Që në komentin e parë të qeverisë ne e vlerësuam propozimin si një bazë të mirë për diskutimin të mëtejshëm për arsye se propozimi për herë të parë vendoste në fokus marrëdhëniet e jashtme ndërkombëtare të Kosovës dhe Serbisë, të gjitha marrëveshjet e mëhershme kishin të bënin me çështje të brendshme të Kosovës…propozimi bazohej në parimin e reciprocitetit të të drejtave dhe detyrimeve të palëve, pra Kosovës dhe Serbisë…propozimi për herë të parë ngërthente në vete njohjen de facto të shtetësisë së palëve ndaj njëra tjetrës. E vetmja pikë shumë kontestuese është ajo që lidhet me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, të cilat fatkeqësisht janë marrëveshje që kanë në përmbajtje monoetnik, atë territorial dhe të monopolizimit të përfaqësimit të komunitetit serb në duart e Listës Serbe që kontrollohet nga Beogradi.
Albin Kurti u ndal edhe te versioni i dytë i propozimit më 6 dhjetor 2022, nga ndërmjetësuesi i dialogut, Mirosllav Lajçak.
Më 20 janar 2023, emisarët ndërkombëtarë më bënë të qartë që propozimi kryesor është fare pranë formatit “merre ose leje”. Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve prej nga vijnë emisarët është në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe nuk mund të pritet një jo nga Kosova, sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta. Gjithashtu ma bënë të qartë se çdo refuzim i propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatik për Kosovën dhe do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh e shteteve të tyre.