Rajoni

Petković: E rëndësishme që Lista Serbe të fitojë të 10 mandatet në Kosovë!

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petković, deklaroi sot se është me rëndësi që në zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës, të planifikuara për 7 qershor, Lista Serbe të sigurojë të gjitha 10 mandatet e garantuara për komunitetin serb.

Sipas tij, përfaqësuesit që do të zgjidhen duhet të jenë persona që “luftojnë për interesat e popullit serb”, ndërsa theksoi se Lista Serbe mbetet e vetmja mbrojtëse e interesave kombëtare serbe në Kosovë.

Petković deklaroi se arrestimi i 7 drejtorëve të institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë është një tregues i qartë se serbët duhet të votojnë ekskluzivisht për Listën Serbe, e cila sipas tij gëzon mbështetjen e plotë të Beogradit zyrtar dhe të presidentit serb, Aleksandar Vučić.

Fitorja e Listës Serbe garanton vazhdimin e ndihmës së Republikës së Serbisë për popullin serb në Kosovë, deklaroi Petković.

Gjithashtu, akuzoi  kryeministrin Albin Kurti, se ka urdhëruar drejtpërdrejt ndalimin e shtatë drejtorëve të institucioneve serbe në Kosovë, duke pretenduar se ndaj tyre nuk ekzistojnë prova dhe se po shkelen të drejtat themelore të njeriut.

Sipas Petkovićit, ndalimet janë kryer me “ndihmën e plotë” të Nenad Rašić, për të cilin tha se “do të mbahet mend nga populli serb si personi që futi policinë e Kurtit në institucionet serbe”.

Nuk ka asnjë vend në botë ku dikush përfundon në burg për çështje administrative apo për shkarkime nga puna në institucionet arsimore dhe shëndetësore. Kjo është e drejtë e punëdhënësit, deklaroi Petković, duke shtuar se sistemi serb i arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë është nën juridiksionin e Republikës së Serbisë.