Rajoni

Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës!

Albuena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, u zgjodh Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës me 66 vota pro, 44 kundër dhe 8 abstenime.

Duke marrë drejtimin e seancës konstitutive, Haxhiu tha:

“Do të siguroj që Kuvendi të funksionojë në përputhje të plotë me kushtetutën, ligjet dhe praktikat më të mira parlamentare.”

Haxhiu gjithashtu e cilësoi luftën e UÇK-së të drejtë, teksa shtoi se kriminelët e vërtetë që Haga duhet të dënojë, janë kriminelët serbë, që sipas saj, kurrë nuk u përballë me drejtësinë.

Haxhiu ishte kandidate edhe në përpjekjet e deputetëve për formimin e legjislaturës së nëntë që përfundimisht rezultoi me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Më herët, Kryesuesi i Komisionit për verifikimin e mandateve, Adnan Rrustemi, pas përfundimit të mbledhjes së komisionit, rekomandoi që seanca të vazhdojë punimet sipas agjendës së paraparë nga Rregullorja e Kuvendit. Deputetët bënë betimin. Fjalën e betimit e lexoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërsa deputetët e pranishëm përsëritën pas tij: “Betohem”.

LEXO EDHE: Mbrojtja e Thaçit në Hagë hedh poshtë pretendimet e prokurorisë: Të shpallet i pafajshëm, s’ka prova për strukturë kriminale!

Pas leximit, të gjithë deputetët e nënshkruan personalisht deklaratën e betimit.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi më shumë se 51 % të votave apo 57 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës mori 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6. 20 ulëse janë të rezervuara për komunitetet.