Aktualitet Rajoni

Mbahet seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, LVV pritet të propozojë Kurtin për kryeministër dhe Haxhiun për kryetare Parlamenti!

Në Kosovë deputetët janë mbledhur për zhvillimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pas vendimit të Presidentes Vjosa Osmani të një dite më parë.

Mediat e Kosovës kanë mësuar se Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe e dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, do të propozojë Albin Kurtin për kryeministër të Kosovës dhe Albulena Haxhiun si kryetare Parlamenti.

Rendi i ditës, sipas rregullores, përmban katër pika. Kuvendi konsiderohet i konstituuar me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Rendi i ditës:

1.Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,

2. Betimi i deputetëve,

3. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,

4. Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Presidentja Osmani e kishte thirrur seancën në orën 12:00, por u shty për shkak të procesit gjyqësor në Hagë, ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Vendimi i presidentes vjen një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10% të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20% apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24%, apo 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50%, apo gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, dhe një ulëse Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Avni Dehari është deputeti që po drejton seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Kjo pasi Dehari është deputeti më i vjetër në sallë. Dehari u ka uruar mirëseardhjen dhe punë të mbarë deputetëve të zgjedhur në 28 dhjetor të vitit të kaluar.

Ndërkohë në seancën e sotme konstituive të Kuvendit të Kosovës është prezent edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili u paraqit pak më herët.