Aktualitet Rajoni

Mbrojtja e Thaçit në Hagë hedh poshtë pretendimet e prokurorisë: Të shpallet i pafajshëm, s’ka prova për strukturë kriminale!

Kryeavokati i Hashim Thaçit në gjyqin e Hagës, Lluka Mishetiç tha se ndryshe nga sa pretendon Prokuroria Speciale (ZPS), “qëllimi kriminal i përbashkët nuk ka ekzistuar dhe nuk ka pasur kurrë një plan kriminal për të nënshtruar kontroll në gjithë Kosovën përmes kryerjes së krimeve që paraqiten në aktakuzë”.

Sipas tij, ZPS nuk i është përgjigjur pyetjes kyç dhe nuk e ka vërtetuar se si Thaçi ka dhënë kontribut në veprat për të cilat akuzohet, ku përfshihen vrasje, ndalime të paligjshme etj, duke argumentuar se Thaçi gjendej jashtë vendit shumicën e periudhës që mbulohet në aktakuzë.

“ZPS nuk ka vërtetuar akuzat kundër Thaçit dhe ai duhet të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet dhe të kthehet pranë familjes së tij dhe në vendin e tij. Është e çuditshme që të bëjmë parashtrime për dënimin dhe mbrojtja mban qëndrimin e saj se rezultati i vetëm është lirimi dhe shpallja e pafajshëm i Thaçit”, tha Mishetiç.

Më herët, avokati amerikan i Hashim Thaçit në gjyqin e Hagës, Pierre Prosper, kritikoi Prokurorinë gjatë seancës, duke e cilësuar qasjen e saj si arrogante dhe pa respekt ndaj dëshmitarëve ndërkombëtarë.

Reagimi erdhi pasi Prokuroria kishte vënë në dyshim peshën e dëshmive të disa diplomatëve dhe zyrtarëve të huaj, duke thënë se ata kishin informacione të kufizuara.

Prosper tha se kishte folur me një diplomat të lartë dhe se komentet e Prokurorisë për shtatë dëshmitarë ndërkombëtarë ishin fyese për profesionin e tyre. Sipas tij, ata kishin qenë në Kosovë me mision për paqe, kishin mbledhur informacione nga burime ushtarake e civile dhe kishin bërë vlerësime mbi bazë faktesh.

Ai përmendi disa prej tyre me emër, si gjenerali Wesley Clark, ish-ambasadori Christopher Hill, si dhe James Rubin e Paul williams, duke thënë se Prokuroria po i paraqet ata sikur të kishin njohuri sipërfaqësore për situatën në Kosovë. Sipas Prosper, kjo qasje tregon mungesë respekti dhe injorancë ndaj rolit që ata kanë pasur.