Disney ka publikuar trailerin e parë të versionit live-action të Moana, por në vend të entuziazmit, reagimet në rrjet janë përqendruar tek një detaj i papritur: pamja e Maui-t.
Filmi sjell në rolin kryesor Catherine Laga’aia si Moana, ndërsa Dwayne Johnson rikthehet si gjysmëperëndia Maui. Historia ndjek aventurën e njohur të heroinës që nis një udhëtim në oqean për të shpëtuar popullin e saj, duke qëndruar besnike filmit të animuar të vitit 2016. Në ekran rikthehen edhe personazhet e dashur si Heihei dhe Pua.
Megjithatë, pavarësisht nostalgjisë dhe pritshmërive të larta, traileri ka ndezur debate të forta online. Shumë shikues kanë kritikuar aktrimin dhe estetikën, por vëmendjen më të madhe e ka marrë paruke e Johnson, e cila është cilësuar si “e çuditshme” dhe “shqetësuese”.
Komentet në rrjetet sociale kanë qenë të shumta dhe shpesh ironike, me përdorues që pyesin nëse pamja e Maui-t është serioze apo një parodi.
Një postim i vetëm me imazhin e aktorit në këtë rol ka arritur dhjetëra miliona shikime, duke e kthyer atë në një nga temat më të diskutuara.
Ky projekt është pjesë e strategjisë së vazhdueshme të Disney për të sjellë versione live-action të klasikëve të saj të animuar, një trend që shpesh ka marrë reagime të përziera nga publiku.
Filmi pritet të dalë në kinema më 10 korrik 2026, por duke gjykuar nga reagimet e para, shumë fansa janë skeptikë nëse kjo ribërje do të arrijë suksesin e origjinalit.