Aktualitet Politikë

Ambasada amerikanë në Tiranë publikon mesazhin e Rubios: SHBA e përkushtuar për t’i dhënë fund emigracionit të paligjshëm

Ambasada amerikane në Tiranë, ka postuar mesazhin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio i cili tha se SHBA-të janë të palëkundur në përkushtimin për t’i dhënë fund emigracionit të paligjshëm dhe për të forcuar sigurinë kufitare.

Mesazhi i Rubios vjen në një kohë trazirash në SHBA, pasi prej ditësh në Los Angeles protestiuesit përplasen me autoritetet e anti-imigracionit dhe ato kufitare për arrestimet dhe deportimet në Kaliforni.

Ndërkohë presidenti amerikan, Donald Trump ka dërguar Gardën Kombëtare për të vënë nën kontroll situatën

Postimi i plotë:

Siç ka thënë Sekretari Rubio: “Ne jemi të palëkundur në përkushtimin tonë për t’i dhënë fund emigracionit të paligjshëm dhe për të forcuar sigurinë kufitare të Amerikës.” Dy Zonat e reja të Mbrojtjes Kombëtare përgjatë kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara dhe standardet e forta të verifikimit për aplikantët për viza janë shembuj se si po ruajmë standardet më të larta të sigurisë kombëtare dhe publike.

Sot Presidenti Donald Trump mbrojti vendimin e tij për të dërguar Gardën Kombëtare në Los Angeles për t’u përballur sërish me protestuesit që protestonin kundër arrestimeve të imigracionit, gjatë ditës së sotme.

Në një postim në Truth Social, presidenti i SHBA theksoi se, sipas tij, “nëse nuk do të kisha dërguar trupa në Los Angeles gjatë tre netëve të fundit, ky qytet i bukur dhe i mrekullueshëm, do të ishte djegur plotësisht tani, ashtu si 25,000 shtëpi në Los Angeles u dogjën për shkak të një guvernatori dhe kryetari bashkie të paaftë”, duke iu referuar zjarreve që goditën shtetin në fillim të këtij viti.

Përveç Gardës Kombëtare, dhe siç raportoi CNN, gjithashtu po dërgohen 700 marinarë në Los Angeles për të ndihmuar në përballimin e protestave.

Kryetarja e bashkisë së Los Angeles, Karen Bass, kritikoi dje vendimin e qeverisë për dërgimin e trupave, duke e konsideruar atë si një “rast prove” për heqjen e pushtetit nga autoritetet lokale.