Në një video të postuar sot, Ambasada Amerikane në Tiranë paralajmëron ata që i quan “bosët e krimit dhe zyrtarët e korruptuar”, për të cilët thotë që “ditëve të shkuara ishin të paprekshëm”. Duke vënë në dukje përkushtimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit dhe për respektimin e sundimit të ligjit në botë, selia diplomatike njofton “Këtë javë, mësohet funksionimi i SPAK-ut, që me t’u ngritur, do të shënjestrojë korrupsionin e nivelit të lartë”. Video-ja tregon se si mbështetja prej 2 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara po përdoret për të siguruar që SPAK të ngrihet e të funksionojë në mënyrë të pavarur.