Rajoni

Ambasadori amerikan në NATO: SHBA-të duan stabilitet në Ballkanin Perëndimor!

Në një nga panelet e Forumit Strategjik të Bledit, ambasadori amerikan në NATO, Matthew G.Whitaker, tha se Shtetet e Bashkuara po ndjekin nga afër situatën në Serbi dhe në entitetin Republika Sërpska të Bosnjë-Hercegovinës, me synimin që të mos lejohet asnjë zhvillim që mund të çojë në konflikt rajonal.

Po ndjekim me shumë kujdes gjithçka që po ndodh si në Republikën Sërpska, ashtu edhe në Serbi. Aktualisht, jemi të përqendruar që situata të mos shndërrohet në një konflikt të mundshëm rajonal.  Amerika do stabilitet në Ballkanin Perëndimor e kjo është e rëndësishme edhe për partnerët europianë brenda NATO-s, të cilët e kanë detyrim të veprojnë së bashku në situata krize.

Prej muajsh, Serbia është përfshirë nga protestat antiqeveritare, që shpesh janë shndërruar në episode dhune ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiç, pa asnjë provë, akuzon agjitatorë të huaj për përpjekje për të nxitur revolucion. Në Republikën Sërpska, Milorad Dodik sfidon vendimin e Gjykatës së Bosnjës për t’i hequr mandatin presidencial pas një dënimi dhe vazhdimisht kërcënon me ndarjen e këtij entiteti nga pjesa tjetër e Bosnjës.

I pyetur nëse NATO-ja do të ndërhynte, nëse kriza politike do të përshkallëzohej në një konflikt të armatosur, sidomos në Bosnjë, por edhe në Serbi, Whitaker deklaroi se NATO vepron me unanimitet, teksa shtoi:

Jemi shumë larg diçkaje të tillë. Nëse NATO-ja do të përfshihet… Rregulli numër 1 në politikë është të mos u përgjigjesh hipotezave. Mendoj se duhet të shohim se si do të zhvillohen gjërat. Ne do të vazhdojmë t’i inkurajojmë të gjitha palët që të punojnë në përputhje me marrëveshjet e Dejtonit.

Ambasadori amerikan shtoi se “NATO është më e fortë se kurrë” dhe se “kjo duhet të jetë shumë shqetësuese për kundërshtarët tanë”.

Në pyetjen nëse presidenti amerikan, Donald Trump, mund të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ose me ish-presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, Whitaker deklaroi se për takime të tilla nuk ka asnjë paralajmërim, por se ato mund të diskutohen nëse do të kishte përfitime të qarta për paqen dhe stabilitetin.

Ndërkaq, vuri në dukje se presidenti Trump ka një aftësi të veçantë për të komunikuar me liderë botërorë, për të përdorur ndikimin e presidencës amerikane dhe fuqinë e shtetit, në të mirë të paqes, demokracisë, stabilitetit e zhvillimit ekonomik. Më tej theksoi se nëse Trump do të vendoste të takohej me Vuçiçin ose Dodikun, një gjë e tillë nuk do të bëhej për të forcuar pozitën e tyre politike, por vetëm nëse do të shërbente për avancimin e interesave më të gjera të paqes e stabilitetit.