Meksika e nisi me fitore aventurën në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Afrikën e Jugut me rezultat 2-0 në stadiumin legjendar Azteca.
Protagonisti i mbrëmjes ishte veterani Raúl Jiménez, i cili në moshën 35-vjeçare realizoi golin e tij të parë në një Kampionat Botëror, në paraqitjen e tij të katërt në këtë kompeticion. Sulmuesi vulosi fitoren me një goditje të saktë me kokë pas asistimit të Roberto Alvarados, duke mos i fshehur emocionet pas golit historik.
Me këtë realizim, Jiménez arriti në kuotën e 46 golave me kombëtaren e Meksikës, duke barazuar legjendën Jared Borgetti në vendin e dytë të golashënuesve më të mirë në histori të ekipit kombëtar. Para tij mbetet vetëm Javier “Chicharito” Hernández me 52 gola.
Ky moment ka një domethënie të veçantë për Jiménez, i cili në vitin 2020 pësoi një dëmtim të rëndë në kafkë gjatë një ndeshjeje të Wolverhamptonit kundër Arsenalit. Fraktura dhe gjakderdhja në tru i rrezikuan seriozisht karrierën dhe jetën, por pas një rikuperimi të gjatë ai arriti të rikthehej në fushë.
Goli ndaj Afrikës së Jugut është dëshmi e forcës dhe këmbënguljes së sulmuesit meksikan, i cili vazhdon të shkruajë historinë e futbollit të vendit të tij edhe pas sfidave të mëdha që ka kaluar gjatë karrierës.