Rajoni

Amerika kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë!

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në shkurt 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përfaqëson një hap pozitiv drejt normalizimit mes dy vendeve, që duhet të synojnë përparim të shpejtë në zbatimin e Aneksit të saj”.

Kështu thuhet në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare që u miratua nga dy dhomat e Kongresit Amerikan dhe u nënshkrua në ligj nga presidenti Donald Trump.

Pasi të arrihet përparim i mjaftueshëm, Amerika duhet të shqyrtojë nisma për forcimin e marrëdhënieve me të dyja vendet, theksohet në tekst, duke shtuar se “kjo përfshin dialogun strategjik dypalësh dhe nisma konkrete për thellimin e lidhjeve ekonomike e investimeve”.

Sipas aktit, SHBA-të duhet të vazhdojnë mbështetjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, bazuar në njohjen reciproke, duke mos mbështetur shkëmbime territoriale, ndarje apo ndryshime të tjera të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor për zgjidhjen e konflikteve. Duhet t’i mbështesë demokracitë pluraliste në rajon, si një mjet për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike.

Akordi me 11 nene, që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit, ndër të tjera, përfshin një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje reciproke të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Nga Prishtina dhe Beogradi kërkon që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura gjatë dialogut.

Akti Kombëtar për Mbrojtjen për vitin fiskal 2026, autorizon shpenzim vjetor rekord për ushtrinë amerikane që arrin vlerën e 901 miliardë dollarëve, 8 miliardë më shumë nga sa kishte kërkuar Trump.

Përfshin gjithçka, nga numri i anijeve, avionëve dhe sistemeve raketore që do të blihen e deri te rritja e pagave për ushtarët dhe mënyra si do të adresohen kërcënimet gjeopolitike.

Teksti i këtij dokumenti përmend një sërë çështjesh, përfshirë edhe varësinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga energjia ruse. Aty thuhet se “kjo varësi lidh ekonomitë dhe politikën e tyre me Moskën, si dhe iu pengon aspiratat që kanë për integrim evropian, ndërsa korrupsioni, edhe në nivelet e udhëheqësve kryesorë politikë, vazhdon që të përbëjë një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe politik të rajonit”.