Aktualitet

Anëtari i Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj në sitën e vetingut

Në kuadër të Vetting-ut, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, pritet të rikonfirmohet në detyrë. Në seancën e sotme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit lexoi raportin ku theksohet se Islamaj ka pasuri me burim të justifikuar dhe nuk kreu deklarim të rremë. Nga hetimet e KPK-së, rezulton që gjyqtari të ketë dy apartamente në Durrës, njëri në pronësi të bashkëjetueses, 1 mijë metër katrorë tokë arë në Kavajë, dy garsionere e garazh plus dyqan te Shkëmbi i Kavajës, si dhe një autoveturë.  Vetë Islamaj ishte i pranishëm në seancën dëgjimore e deklaroi se pasuria e tij dhe e familjes është e trashëguar nga gjyshërit.  Vendimi për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, jepet më 7 Qershor, në orën 11:00.