Sport

Angli – Shqipëri si ‘Davidi kundër Goliathit’, Sylvinho ‘përjashton’ tre futbollistë! Uzuni titullar, tifozët nisin festën dhe futen në ‘Wembley’

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot kundër Anglisë në mitikun ‘Wembley’, sfidë që merr jetë në orën 20:45 dhe vlen duelin e parë në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Tanimë tifozët janë grumbulluar dhe kanë nisur hyrjen në stadium, duke e kthyer këtë në një moment feste. Ultrasit e Kombëtares kanë ngjyra kuqezi, me veshje kombëtare dhe kanë në duar tupana; teksa nuk mungojnë këngët dhe vallet.

Lista – Simon Simoni, Andi Hadroj dhe Etnik Brruti do e ndjekin ndeshjen nga tribunat e stadiumit. Në bazë të rregullores së UEFA-s, Sylvinho do duhet të ketë të gatshëm vetëm 23 futbollistë për këtë ndeshje, me tre emrat më sipër që janë të sakrifikuarit. Duke qenë se trajneri kishte në grumbullim 26 lojtarë, një lëvizje e tillë ishte e pashmangshme. Bie në sy se edhe ish-kapiteni i Kosovës U-21, Etnik Brruti i cili u afrua me zhurmë te kuqezinjtë ka mbetur jashtë.

Statistikat e këtij dueli flasin për “Tre Luanët”, ndërsa beteja e sotme është si “Davidi kundër Goliathit”. Por a do mundet dot ‘i dobëti’ që në këtë rast janë tanët, për t’i bërë ballë një prej skuadrave më të forta në botë?!

Përballjet – Gjashtë herë janë përballur skuadrat në histori mes tyre, në të gjitha rastet për kualifikueset e Kupës së Botës. Në secilin rast Anglia ka fituar, teksa Shqipëria edhe këtë herë kërkon të bëjë surprizën, qoftë edhe me një barazim. 19 gola ka shënuar Anglia në portën tonë, kundrejt vetëm një të kuqezinjve, në 28 marsin e largët 2001, realizuar nga Altin Rraklli në “Qemal Stafa”.

LEXO EDHE: Një speciale e “Pasó”/ TAR sjell mbulimin live të ndeshjes Angli-Shqipëri! 
Dueli i fundit daton më 12 nëntor 2021, kur Anglia na mposhtet po në “Wembley” me shifrat 5-0. Kane me tre gola, Henderson dhe Maguirre ishin autorët e golave.

Sa i takon renditjes në FIFA edhe ajo flet shumë. “Tre Luanët” mbajnë pozitën e katërt në botë, kundrejt vendit të 65 të tanëve.

Tifozët – Në stadiumin mitik të Londrës kapaciteti i ulëseve është afro 90 mijë, ndërsa kuqezinjtë ia kanë dalë të sigurojnë diku te 20 mijë bileta. Duke qenë se shumë shqiptarë janë rezident në Angli, ata ia kanë dalë të marrin bileta në shumë sektorë të stadiumit, paçka se numri i dedikuar për tifozët e Shqipërisë në këtë ndeshje sipas rregullores do duhet të ishte jo më shumë se 5600.

Ndeshja gjykohet nga një trupë spanjolle me kryesor Alejandro Hernandez Hernandez.

Formacioni zyrtar:

Shqipëria (4-2-3-1): Strakosha; Balliu, Ajeti, Gjimshiti, Aliji; Asllani, Ramadani; Asani, Laçi, Bajrami; Uzuni Trajner: Sylvinho

Tifozat Kuq e Zi do jenë prezent në Londër me simbolet e tyre në mbështetje të Kombëtares, për sfidën kundër Anglisë. Paçka përplasjes me FSHF-në për biletat, TKZ ka mundur të sigurojë një sektor në “Wembley”. Në stadium nuk mund të mungonte as tifozi Besmir Limani, i njohur si “fytyrë-shqiponja”, për shkak të pikturës që bën kur luan ekipi.