Rajoni

Apeli në Hagë shpall sot vendimin për Pjetër Shalën!

Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot shpall vendimin në rastin e Pjetër Shalës, i dënuar për krime lufte, të kryera në vitin 1999. Korrikun e kaluar, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënua me 18 vjet burg, pasi u gjet fajtor për ndalim arbitrar, torturë e vrasje në Fabrikën e Metalit në Kukës, në verilindje të vendit tonë.

Sipas aktakuzës, ai dhe të tjerë pjesëtarë të UÇK-së morën pjesë në ndalimin dhe keqtrajtimin e të dyshuarve për bashkëpunim me Serbinë e të atyre që nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Sipas aktakuzës, viktimat ishin subjekt i dhunës fizike e psikologjike, përfshirë kërcënimet me vdekje, poshtërimet dhe ngacmimet.

Gjykata e urdhëroi Shalën të paguante dhe 208 mijë euro si kompensim për 8 viktima. Ndërkaq e shpalli të pafajshëm për veprën penale të trajtimit çnjerëzor. Mbrojtja e tij e apeloi vendimin, si dhe urdhrin për zhdëmtimin e viktimave. Sa i përket urdhrit, gjykata nuk do të shprehet sot.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura ndryshe si Gjykata Speciale, punojnë me ligjet e Kosovës, por prokurorët dhe gjyqtarët e tyre janë ndërkombëtarë. Gjykata u themelua në vitin 2015 për të hetuar ish-pjesëtarët e UÇK-së, të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte e krime të tjera, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të 2000-shit.

Selia e Speciales u vendos në Hagë të Holandës, për shkak të shqetësimeve se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është mjaftueshëm i pavarur për të hetuar krimet e luftës, si dhe për shkak të dyshimeve për kërcënimin e dëshmitarëve. Deri tani, Gjykata Speciale ka shpallur dy vendime për krime lufte ndaj Salih Mustafës e Pjetër Shalës, si dhe dy të tjerë për pengim të administrimit të drejtësisë ndaj Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit.

Aktualisht, po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, që të gjithë ish-pjesëtarë të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit.