Pjetër Shala, një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i dënuar për krime lufte nga Gjykata Speciale mori urdhër lidhur me zhdëmtim të viktimave të tij, në shumën 208 mijë euro. Më 16 korrik të këtij viti, u dënua me 18 vjet burg nga Gjykata e Specializuar për Krime Lufte e Kosovës, me seli në Hagë. Ai u shpall fajtor për ndalim arbitrar e torturë kundër të paktën 18 personave, si dhe në pikën lidhur me vrasjen e një shtetasi, më ose rreth datës 5 qershor 1999, në mjediset e fabrikës së metalit në Kukës. Sipas Gjykatës, viktimat ishin kryesisht shqiptarë të Kosovës.
I njohur me nofkën “Ujku”, më parë, Shala tha se është “i pafajshëm” për të gjitha akuzat. Në shpalljen e urdhrit për zhdëmtim e që mban datën e sotme, gjykata konstatoi se 8 viktimave do t’iu takojë dëmshpërblim nga Shala. Të parit i duhet që të marrë 100 mijë euro shpërblim monetar e kjo për dëme fizike, mendore e materiale po ashtu. Arsyeja është se sipas vendimit paraprak me të cilin Shala u dënua, viktima në fjalë ishte ndaluar arbitrarisht dhe më pas u keqtrajtua fizikisht e psikologjikisht, me pasoja afatgjata.
Në anën tjetër, shuma e mbetur ndahet në kompensime individuale e kolektive për shtatë viktimat e tjera, jo të drejtpërdrejta, përkatësisht familjarë të tyre. Më ligjin, nëpërmjet të cilit është krijuar Gjykata Speciale, parashihet që viktimat e konstatuara të krimeve brenda juridiksionit të kësaj gjykate, të kenë të drejtën e zhdëmtimit.
Ligji përcakton se gjykata mund të shpallë urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtim apo në disa raste, t’i udhëzojë viktimat që të ngrenë padi civile në gjykatat e tjera të Kosovës. Në rastin e Pjetër Shalës, gjykata dha urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtimin e viktimave.
Sipas ligjit aktual, ekzistojnë mundësi të vogla të kompensimit të këtyre viktimave nga Buxheti i Kosovës, në qoftë se ata nuk kompensohen nga personi i dënuar, si në këtë rast. Kjo për shkak se gjatë hartimit të ligjeve, me të cilat është themeluar Gjykata Speciale, nuk është planifikuar ndonjë fond i veçantë për t’i kompensuar viktimat e mundshme që dalin nga ky proces gjyqësor.
Rajoni i Ballkanit Perëndimor është përfshirë nga luftëra të përgjakshme në vitet ’90-ë, që kanë çuar në shpërbërjen e Jugosllavisë së atëhershme. Në vitin 1993 u themelua Gjykata e Hagës, që ka trajtuar krimet e luftës, të kryera në këtë rajon në atë kohë.