Shumë njerëz e lidhin lumturinë me ngjarje të mëdha: udhëtime të gjata, arritje të mëdha profesionale apo marrëdhënie të plota. Por psikologët e dinë mirë se sekreti i mirëqenies afatgjatë nuk qëndron te momentet madhështore, por te mikromomentet, çaste të vogla kënaqësie dhe kuptimi që shpesh i anashkalojmë.
Mikromomentet e lumturisë janë ato përjetime të vogla si aroma e kafesë në mëngjes, një mesazh i papritur nga një mik, një shëtitje e qetë në diell, apo buzëqeshja e një të panjohuri. Ato janë momentet ku ndalemi për një sekondë dhe ndiejmë një ndjesi të thellë paqeje apo gëzimi. Edhe pse kalimtare, këto përvoja mund të kenë ndikim të madh në mirëqenien emocionale.

Krijimi i këtyre mikromomenteve kërkon vëmendje të ndërgjegjshme. Është një praktikë e përditshme që kërkon të ndalojmë autopilotin e jetës dhe të vëzhgojmë aktivisht rreth nesh. Të jesh i vetëdijshëm për bukurinë e vogël të përditshmërisë është një ushtrim shpirtëror, një praktikë që rrit ndjeshmërinë dhe vlerësimin për jetën. Një mënyrë për t’i kultivuar këto çaste është mbajtja e një ditari ku çdo ditë shënon tre gjëra të vogla që të sollën gëzim.
Një tjetër është t’i jepet vetes leje për të ndalur dhe për të përjetuar një moment pa faj, qoftë duke dëgjuar një këngë të dashur apo duke parë perëndimin e diellit. Në një kohë kur shumë ndihen të përfshirë nga stresit, mungesa e qëllimit dhe presioni për të qenë gjithnjë “produktive”, mikromomentet janë një mënyrë e thjeshtë, por e fuqishme për t’i dhënë ngjyrë ditës. Në fund të fundit, janë pikërisht këto fragmente të vogla që e bëjnë jetën më të bukur dhe më të jetueshme.