Metabolizmi është një proces jetik që ndihmon trupin të shndërrojë ushqimin dhe pijet në energji. Ai ndikon në funksione themelore si frymëmarrja, qarkullimi i gjakut, tretja dhe rregullimi i temperaturës së trupit.
Por kur ky proces ngadalësohet, trupi mund të japë disa sinjale të qarta që nuk duhet të anashkalohen.
Sipas portalit “Qendra Shëndetësore”, faktorë të ndryshëm si gjenetika, mosha, gjinia, stili i jetesës dhe gjendjet shëndetësore mund të ndikojnë në shpejtësinë e metabolizmit.
Një metabolizëm i ngadaltë do të thotë se trupi djeg më pak kalori, gjë që mund të çojë në shtim në peshë, lodhje dhe ndryshime të tjera në mirëqenie.
Këto janë disa nga shenjat që mund të tregojnë një metabolizëm të ngadaltë:
-Lodhje e vazhdueshme: Niveli i ulët i energjisë edhe pas pushimit mund të jetë sinjal se trupi nuk po shndërron në mënyrë efikase ushqimin në energji.
-Lëkurë e thatë: Një çekuilibër hormonal, sidomos tek hormonet tiroide, mund të ndikojë në hidratimin e lëkurës.
-Shtim i pashpjegueshëm në peshë: Nëse shtoni kilogramë pavarësisht një diete të kontrolluar dhe aktivitetit fizik, metabolizmi juaj mund të jetë më i ngadaltë nga ç’duhet.
-Ndjesi e vazhdueshme e të ftohtit: Trupi prodhon më pak nxehtësi kur metabolizmi është i ngadalësuar, çka bën që të ndiheni të ftohtë edhe në temperatura të moderuara.
-Dëshira për ushqime me yndyrë ose sheqer: Një shenjë që trupi kërkon më shumë kalori për të kompensuar mungesën e energjisë.
-Luhatje të shpeshta të humorit: Nivelet e ulëta të energjisë dhe çekuilibrat hormonalë që vijnë nga një metabolizëm i ngadaltë, mund të ndikojnë në shëndetin mendor.
-Probleme me tretjen: Kapsllëku, fryrja apo shqetësimet e tjera të tretjes mund të jenë pasojë e një metabolizmi joefikas.
Çfarë e ngadalëson metabolizmin?
Ekspertët theksojnë se me kalimin e moshës, sidomos pas të 60-ave, metabolizmi ngadalësohet në mënyrë natyrale për shkak të rënies së masës muskulore.
Po ashtu, gratë janë më të prirura për të pasur një metabolizëm më të ngadaltë krahasuar me burrat, për shkak të përbërjes trupore.
Stili i jetesës është gjithashtu vendimtar. Një dietë me pak kalori, mungesa e gjumit, stresi i zgjatur dhe mungesa e aktivitetit fizik ndikojnë në funksionimin e metabolizmit.
Përveç kësaj, sëmundje si diabeti dhe hipotiroidizmi, si dhe ekspozimi ndaj toksinave mjedisore, janë faktorë të tjerë që mund të ngadalësojnë ritmin metabolik.
Ekspertët këshillojnë që çdo ndryshim i pazakontë në trup, si shtimi në peshë pa arsye, lodhja e pashpjegueshme apo problemet me tretjen, të mos neglizhohet, pasi mund të jetë sinjal i një problemi më të thellë metabolik që kërkon vëmendje mjekësore.