Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e prokurorit Adnan Xholi dhe vendosi kalimin për gjykim të çështjes në ngarkim të Amar Shkëmbit e Bledar Polivinës, të dyshuar se kanë qenë të përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, në mbikalimin e Shkozetit, në fillim të nëntorit 2019.
Vendimi u dha nga gjyqtari Bib Ndreca dhe ditët në vijim do të hidhet shorti për të përcaktuar treshen e gjyqtarëve që pritet të shqyrtojë dosjen penale në themel.
Amar Shkëmbi ishte shpallur në kërkim nga SPAK-u për këtë ngjarje, ndërsa u ekstradua nga Dubai në Tiranë në tetor të vitit të kaluar, për llogari të autoriteteve shqiptare.
Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme, rezultoi se Shkëmbi, me Bledar Polovinën, Plaurent Dervishajn, Julian Meçajn e Ariol Halilajn vepruan në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, duke kryer veprat penale të “Vjedhjes” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtjes pa leje të armëve”, “Vrasjen e funksionarëve publikë” mbetur në tentativë, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”.
Në ngjarjen e regjistruar më 1 nëntor të vitit 2019 ku mbeti i vrarë Andi Maloku, shoferi i ish-prokurorit e të plagosur Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe me emrin “Rrumi i Shijakut”. Në të njëjtën çështje penale janë edhe të pandehurit Endrit Sinani, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhia e Julian Pjetri.