Bota

Avioni përplaset me helikopterin e ushtrisë pranë aeroportit të Uashingtonit “Ronald Reagan”!

Një avion pasagjerësh i kompanisë American Airlines me 64 persona në bord dhe një helikopter Black Hawk i Forcave të Armatosura amerikane u rrëzuan në lumin Potomak pas një përplasjeje në ajër pranë aeroportit kombëtar të Uashingtonit “Reagan” dje në mbrëmje.

Një burim i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se ka shumë viktima, por bilanci është i paqartë. Nuk ka ende ndonjë të dhënë mbi shkaqet e aksidentit. Të gjitha fluturimet nga aeroporti “Regan” janë anuluar, ndërsa helikopterë nga agjencitë e zbatimit të ligjit përgjatë gjithë rajonit shkuan në vendngjarje në kërkim të të mbijetuarve.

Gazeta “Washington Post”, duke cituar burime, raportoi se nga uji janë nxjerrë disa trupa. Sipas gazetës, deri tani nuk ka patur të mbijetuar. Në një postim në rrjetet sociale, senatori nga Teksasi, Ted Cruz shkroi se “e dimë që ka viktima”, por nuk dha më shumë hollësi.

Miq, familjarë dhe të afërm të pasagjerëve u mblodhën në aeroportin kombëtar të Uashingtonit “Reagan” duke kërkuar më shumë informacion. Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara theksuan se mund të “konfirmonin se në përplasje u përfshi një helikopter i ushtrisë -UH-60- i bazës Fort Belvoir, Virxhinia”.

Ne po bashkëpunojmë me zyrtarët lokalë dhe do të japim informacion shtesë sapo të jetë e mundur.

Nuk ka pasur një aksident fatal me avion pasagjerësh në SHBA që nga shkurti i vitit 2009, por një sërë incidentesh në vitet e fundit kanë ngritur shqetësime për sigurinë. Pamje të regjistruara nga kamera e vendosur në qendrën “Kennedy” në Uashington tregonin një shpërthim në ajër përgjatë lumti Potomak rreth orës 21:47 të mbrëmjes me atë lokale, dhe avionin në flakë që bie me shpejtësi.

Administrata Federale e Aviacionit të Shteteve të Bashkuara (FAA) tha se avioni i PSA Airlines RJ700 u përplas në ajër me një helikopter të ushtrisë amerikane (Black Hawk) Sikorsky H-60 ndërsa po afrohej në aeroportin kombëtar të Uashingtonit, “Reagan”. Avioni ishte nisur nga qyteti Wichita i Kansasit.

Policia deklaroi se agjenci të shumta janë përfshirë në një operacion kërkim-shpëtimi në lumin Potomak. Presidenti Donald Trump tha se u informua mbi atë që e cilësoi “aksident të tmerrshëm” dhe se po e mbikqyrte situatën.

Zoti i bekoftë shpirtrat e tyre! Faleminderit të gjitha ekipeve të emergjenvave për punën e jashtëzakonshme që po bëhet. Po e ndjek situatën dhe do të jap hollësi sapo të jetë e mundur.

Në një postim në mediat sociale, kompania “American Airlines” u shpreh se ishte në dijeni të njoftimeve se një prej avionëve të saj u përfshi dhe se do të japë më shumë hollësi kur të jetë e mundur. Aeroporti qëndron i mbyllur deri nesër pasdite.