Thomas Markle, babai 81-vjeçar i Dukeshës së Sussex, është shtruar me urgjencë në spital në Filipine, ku ndodhet në kujdes intensiv pas një operacioni të gjatë dhe të ndërlikuar.
Lajmi është konfirmuar nga i biri, Thomas Markle Jr., i cili ka bërë të ditur se mjekët e konsideruan gjendjen e të atit si rrezik të menjëhershëm për jetën.
Markle u sëmur rëndë të martën dhe u dërgua menjëherë në spital, ku iu nënshtrua një operacioni treorësh të enjten. Megjithatë, mjekët kanë njoftuar se 81-vjeçari ka nevojë për një ndërhyrje tjetër për të hequr një mpiksje gjaku që paraqet rrezik serioz.
Thomas Markle ka vite që përballet me probleme të rënda shëndetësore, duke kaluar dy atake në zemër dhe një goditje në tru. Pas shumë vitesh të jetuara në Meksikë, ai u zhvendos në Filipine në fillim të këtij viti.
Thomas Markle Jr. ka treguar për Daily Mail se situata ishte dramatike:
Mjekët na thanë se jeta e tij ishte në rrezik të menjëhershëm. E çova vetë në spital sapo gjendja u përkeqësua.
Marrëdhënia mes Thomas Markle dhe Meghan Markle ka qenë e ndërprerë që prej vitit 2018, kur ai nuk mori pjesë në dasmën mbretërore për shkak të problemeve shëndetësore dhe skandalit me fotot e inskenuara për paparacët.
Sipas raportimeve, kontaktet mes tyre janë ndërprerë plotësisht që nga ajo kohë.
Deri tani, Meghan Markle dhe Princi Harry nuk kanë bërë asnjë koment publik për gjendjen kritike të Thomas Markle.