Aktualitet

Bajpasi i Vlorës hapet më 9 korrik!

Përfundimisht, 9 korriku është data që do të shënojë hapjen e Bajpasit të Vlorës, aksit të ri panoramik që lehtëson qarkullimin e automjeteve gjatë pikut të sezonit veror. Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama, i cili në rrjetet sociale publikoi pamje nga ky aks i rëndësishëm rrugor, në jug të vendit. Shefi i qeverisë shkruan:

Mirëmëngjes nga Bajpasi i Vlorës që do të hapet përfundimisht më 9 korrik, ju uroj një të diel të qetë!

https://www.facebook.com/ediramaal/videos/mir%C3%ABm%C3%ABngjes-nga-bypass-i-vlor%C3%ABs-q%C3%AB-do-t%C3%AB-hapet-p%C3%ABrfundimisht-m%C3%AB-9-korrik-ju-uroj/713734513194889

Bajpasi i Vlorës po ndërtohet me standardet më të mira dhe parametrat më të lartë të sigurisë. Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë, me atë kombëtare bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më me shpejtësi në tregje, të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.

Me gjatësi 29 kilometra, rruga e re vlerësohet si një ndër segmentet me impaktin më të lartë turistik dhe që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës. Ajo nis nga rrethrrotullimi, në fund te autostradës Levan-Vlorë, ndërsa anashkalon Kaninën në pjesën perëndimore mbi Vlorë, në një nivel rreth 300 metra nën kështjellë, nga ku ofron pamje spektakolare përgjatë gjirit të Vlorës.

Në çdo 1.5 kilometër të kësaj rruge është parashikuar vendpushimi për automjetet. Planifikohet që me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, e gjithë zona të kthehet në një superdestinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit europian.