Nga Ohri i Maqedonisë së Veriut ku po zhvillohet takimi i radhës në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, kryeministri Rama kishte një mesazh për rusët, lidhur me komentin e kryediplomatit Lavrov se ““Ballkani i Hapur është nismë serbe”. Në një konferencë shtypi, Rama deklaroi:
Të peshkohesh kaq kollaj nga sarkazma e një personazhi të mirënjohur botërisht për gjuhën sarkastike dhe manipulimi i kësaj sarkazme nga ata që i fryjnë zjarrit të dasisë e urrejtjes për interesa të politikës së ditës në katundet ballkanike është për të ardhur keq! Nëse zotëria do të ishte mbështetësi i Ballkanit të Hapur, Ballkani do të ishte minimalisht për të. Por, Ballkani për të është i mbyllur dhe nuk ka marrë leje për të hyrë në Ballkan nga vendet e Ballkanit.
Kujtojmë se në fillimjavë, ministri i Jashtëm rus u detyrua të anulonte vizitën e planifikuar në Beograd, pasi avionit të tij nuk iu dha leje për të kaluar në hapësirat ajrore të vendeve fqinje me Serbinë.
Në konferencën për shtyp, shefi i qeverisë foli edhe për mungesën e Kosovës, pas refuzimit të vazhdueshëm të kryeministrit Albin Kurti për t’iu bashkuar nismës.
Kosova është sovrane dhe i merr vendimet vetë për veten e saj. Vendi për Kosovën në këtë tryezë është aty, askush nuk e zë, askush nuk e mbush dot nëse nuk e mbush vetë Kosova. Unë nuk dua të them asgjë më shumë sepse çfarë kam pasur për të thënë e kam thënë. Ftesa është e hapur, por e respektoj vendimin e Kosovës për ta lënë vendin bosh.
Ndër të tjera, Rama njoftoi se do të ngrihet një grup i posaçëm mes vendeve të “Ballkanit të Hapur”, për të përballuar krizën nga lufta në Ukrainë. Qëllimi është të ulet barra dhe vendet të ndihmojnë njëri-tjetrin, sa të kenë mundësi. Ndërkohë, zbuloi aktivitetet që do të mbajnë në vijim, në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.
Vendet e “Ballkanit të Hapur” do të kenë një sesion të posaçëm në Beograd për sigurinë ushqimore, që pritet të shoqërohet me panairin e madh të ushqimeve dhe verërave. Për energjinë do të zhvillohet sesion i veçantë në Shqipëri, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, sesioni për projektet e transportin. Në Malin e Zi, ai për turizmin.

