Aktualitet

Banorët e fshatit Spathar në Librazhd ndihmojnë qindra shoferë të bllokuar te kthesat e Dragostunjës!

Në një situatë të vështirë të krijuar nga bllokimi për të paktën gjashtë orë i aksit të rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas në “Kthesat e Dragostunjës”, banorët e fshatit Spathar janë ata që po japin një shembull të rrallë solidariteti dhe përgjegjësie qytetare.

Gjatë gjithë ditës së dielë, por edhe në orët e vona të mbrëmjes, ata në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Rrugore kanë qenë në terren për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve të mbetur të bllokuar në rrugë.

Banorët e Spatharit dhe të fshatrave të tjerë po orientojnë dhe shoqërojnë shoferët drejt rrugëve alternative, duke i udhëhequr me kujdes përmes territorit të fshatit të tyre, në kushte të vështira terreni dhe errësire.

Falë kësaj ndihme, shumë automjete kanë mundur të vijojnë lëvizjen nga Spathari e Dardha drejt Hotolishtit, për të vazhduar më tej në drejtim të Korçës si edhe nga Spathari drejt Babjes, për në Semës, në dalje të Librazhdit drejt Elbasanit, në anën tjetër të aksit të bllokuar.

Një masiv dheu dhe gurësh ra sot në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë, duke bllokuar këtë segment rrugor.

Dy ekskavatorë po punonin për zhbllokimin e rrugës, në vendin e quajtur Dragostunjë, ku po hiqnin masivët e dheut e gurëve, me qëllim ta bënin aksin sërish të aksesueshëm për automjetet.

Prej gati 3 orësh u hodhën poshtë pjesë të masivit të dheut e gurëve që ishin të paqëndrueshëm dhe rrezikonin rënien në rrugën Librazhd-Qafë Thanë.

Puna e këtyre dy ekskavatorëve që po punonin në pjesën e sipërme pranë Korridorit 8, është ndërprerë pak minuta më parë.

Tashmë ka filluar puna për pastrimin e gurëve dhe dheut në këtë aks rrugor, ndërkohë që shpresat e punonjësve të pranishëm janë që për 30 minuta të jetë hapur njëri krah i rrugës, për të filluar qarkullimi i mjeteve.

Aksi Librazhd-Qafë Thanë vijon të jetë i bllokuar si pasojë e rrëshqitjes së masivit të dheut duke lënë radhë kilometrike automjetesh të palëvizura.

Për të lehtësuar disi situatën, Policia Rrugore e Korçës po i këshillon udhëtarët që i janë drejtuar Elbasanit të shkojnë drejt zonës së Maliqit, Moglicë-Gramsh dhe për të dalë më pas në Cërrik.