Aktualitet

Rrëshqitjet e dheut bllokojnë Librazhd-Qafë Thanë, Policia: Shmangni lëvizjet me Korçën!

Një masiv i madh me gurë e dhe’ rrëshqiti sot nga mali, duke mbuluar aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë, në vendin e quajtur Dragostunjë. Për pasojë, rruga është mbyllur në të dyja drejtimet duke bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore, që po bashkëpunojnë me firmën e mirëmbajtjes së rrugës, për hapjen e aksit.

Deri në pastrimin e plotë të rrugës, lëvizja drejt Korçës e në drejtim të kundërt mbetet e pamundur dhe drejtuesit e mjeteve po këshillohen ta shmangin këtë segment.

Njoftimi i plotë i policisë:

Në aksin rrugor Librazhd  Qafë Thanë, në vendin e quajtur Dragostunjë, si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu dhe gurësh nga mali, qarkullimi i automjeteve është bllokuar plotësisht në të dyja drejtimet.

Shërbimet e Policisë  Rrugore ndodhen në këtë zonë dhe po bashkëpunojnë me firmën kontraktore të  mirëmbajtjes së rrugëve, për pastrimin në një kohë sa më të shpejtë të aksit rrugor, me qëllim fillimin e lëvizjes së automjeteve.

Policia Rrugore e Elbasanit apelon për të gjithë që duan të udhëtojnë në drejtim të Korçës dhe anasjelltas, të shmangin lëvizjen deri në një njoftim të dytë për hapjen e rrugës.