Koalicioni Shqiptar Pro Jetës dorëzoi në Presidencë kërkesën për mosdekretimin e ligjit “Për Barazinë Gjinore” të miratuar në Kuvend pesë ditë më parë, me 77 vota pro dhe 36 kundër. Për këtë koalicion, “ky ligj është antishqiptar dhe antifamilje”, duke shtuar se “dehumanizon shqiptarët dhe tenton të indoktrinojë fëmijët, nëpërmjet ideologjisë gjinore në shkolla”.
Ligji për Barazinë Gjinore është antiliri, ligji që fatkeqësisht kaloi me 77 vota në parlament. Presidenti është hallka e fundit që institucionalisht ka të drejtë të mos e dekretojë këtë ligj.
Pra, sjellim para tryezës presidenciale një kauzë, kauzën e familjes, të Shqipërisë. President, mos dekreto ligjin antifamilje, antiliri, antiZot, ligjin për censurën, dehumanizimin e shqiptarëve e që do indoktrinojë fëmijët shqiptarë nëpërmjet ideologjisë gjinore në shkolla, deklaruan përfaqësues të koalicionit.
Ligji është pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka ndaj Bashkimit Europian dhe synon të përmirësojë kuadrin ligjor të vitit 2008, duke garantuar të drejta të barabarta për gratë dhe burrat në të gjitha fushat e jetës.
Sipas dokumentacionit shoqërues, ligji i ri është harmonizuar me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e Komisionit Evropian, i cili ka kërkuar miratimin e tij brenda vitit 2025, si pjesë e piketave për hapjen e kapitujve themelorë të negociatave.