Politikë

Konsensusi PS-PD, Rama: Opozita e kuptoi që s´ka bllokim, së shpejti lajmi i mirë për…

Kryeministri Edi Rama, në episodin e radhës të podcastit “Flasim”, ka komentuar edhe seancën e fundit në Kuvend, ku mazhoranca votoi në favor të rezolutës që lidhet me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ai e ka cilësuar si zhvillim pozitiv bashkimin e forcave politike në Kuvend lidhur me rezolutën për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Sipas tij, konsensusi mes mazhorancës dhe opozitës në këtë çështje është i mirëpritur dhe duhet të ndodhë më shpesh, duke theksuar se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian është i pandalshëm dhe pritet të ketë avancime të mëtejshme në hapjen dhe mbylljen e kapitujve të negociatave. Ai shtoi, me nota ironie, se edhe opozita tashmë e ka kuptuar këtë realitet.

Kryeministri Edi Rama përfundoi duke u shprehur se çdo bashkim politik në këtë drejtim është një sinjal i mirë për ecurinë e vendit në rrugën drejt BE-së, duke e quajtur atë “varkën e Shqipërisë europiane”.

Shënimi i fundit është për diçka të mirëseardhur në Kuvendin e Shqipërisë, ku befasisht, por e përsëris pozitivisht, forcat opozitare të Kuvendit të Shqipërisë u bashkuan me shumicën qeverisëse për një rezolutë të lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Më vjen mirë realisht që ndodhi diçka e tillë. Do të ishte mirë të ndodhte vazhdimisht kur flasim për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe një herë e vetme, prapë se prapë, është një herë me vlerën e vet dhe më vjen mirë po ashtu që, me sa unë kuptoj, e kanë kuptuar që procesi është i pandalshëm, që bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston, që së shpejti do të vijë edhe lajmi i ri dhe i mirë, si të gjitha lajmet për hapjen e kapitujve, të kapërcimit në fazën tjetër të procesit dhe do të hapet edhe rruga për fillimin e mbylljes së kapitujve të negociatave. Kështu që bashkimi, sado i befasishëm dhe sado i ngutur në “varkën e Shqipërisë europiane”, ku ne jemi aty prej kohësh dhe ku vendin e kanë gjithmonë aty, është plotësisht i mirëseardhur, tha ai.