Në një komunikim publik gjatë “Shënimeve të Javës”, kryeministri Edi Rama u ndal te Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian e 26 majit, duke e cilësuar moment të rëndësishëm për rrugën europiane të vendit.
Sipas kreut të qeverisë, në Bruksel është zhvilluar procesi i ballafaqimit mes Komisionit Europian dhe shteteve anëtare për raportin mbi detyrat e përmbushura nga Shqipëria pas çeljes së kapitujve të negociatave.
Rama akuzoi opozitën se gjatë kësaj periudhe është përpjekur të dëmtojë imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare përmes protestave dhe akteve të dhunshme.
Sipas kryeministrit, opozita tentoi të bindë partnerët europianë se rruga e Shqipërisë drejt BE-së ishte bllokuar dhe se qeveria shqiptare ndodhej në izolim.
Ai ballafaqim mori kohën e vet, ndërkohë që “molotovarët” e Tiranës u lëshuan të dëshpëruar në një ofensivë të pashoqe energjie negative, u lëshuan rrugëve për ta djegur medoemos Shqipërinë në sytë e botës.
Gëzonin si fëmijët kur fotot e kazanëve me flakë apo të molotovëve e flakadanëve që hidheshin nëpër Tiranë bënin xhiro në median e botës. Mblidh benzinë e hidh bombë artizanale me vandalë të paguar, u lëshuan po ashtu kanaleve e portaleve të Shqipërisë për t’i helmuar shqiptarët.
Mblidh e hidh jargë urrejtjeje politike, pasqyrë më pasqyrë, u lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi proverbial krejt edhe ajo çka ndodhi me të ashtuquajturën vizitë treditore në Ministrinë e Jashtme në Berlin.
Në fakt, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë, kudo ku ishte e mundur, mblidhu e hidhu lart e poshtë për të kërkuar ndëshkim, bllokim, izolim për Shqipërinë, duke lënë kokrrën e namit si asnjë opozitë tjetër në historinë e integrimeve europiane të vendeve që sot janë pjesë e Bashkimit Europian apo synojnë të bashkohen me të.
Thanë se rruga europiane ishte e bllokuar, thanë se Shqipëria ishte më në fund e ndëshkuar, thanë se qeveria jonë ishte krejt e izoluar. U gënjyen, u gënjyen, se gjithnjë nga ajo mendja e tyre e cekët dhe e mbrapshtë dhe në fund, në fund, humbën me turp dhe Shqipëria fitoi përsëri me mund, me dinjitet e me krenari.
Rama theksoi se më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE do të vulosë përmbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe do të hapë fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Kështu, më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian vulos përmbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe hap fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kemi ngjitur një tjetër lartësi të vështirë drejt majës, ku do të arrijmë me çdo kusht brenda kësaj dekade dhe ku do të vendosim flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit, aty, në oborrin e shtëpisë së madhe të Europës së Bashkuar.