Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, theksoi pas barazimit ndaj Teutës se ishte i lumtur që mori të paktën një pikë në këtë ndeshje ku ekipi i tij thuajse nuk u pa asnjëherë rrezikshëm në sulm.
“Po ta marr në total, do të them që jemi të kënaqur me pikën për atë që prodhuam se Teuta ishte më kërkuese se sa ne, pati disa situata para portës. Ndërsa ne sot nuk po na funksiononte, ndoshta ngaqë kemi pasur ndeshje në mesjavë, mungesave u shtohej Bregu. Por nuk justifikon pasi kemi kontingjentin e lojtarëve që të paktën të luajmë futboll. Por si shkoi ndeshja edhe unë po mendoja që një pikë në Durrës do të ishte më e mirë se sa të shkonim me humbje.
Pa i hequr meritat Teutës se ishte më lart se ne në këtë ndeshje, por ajo që mungoi ishte se nëse nuk ke pasime në zonat e ndërtimit, pastaj natyrshëm nuk mund të flasësh për taktikë, se gjuha e futbollit është pasimi. Për të shkuar te manovrat, ne sot nuk kishim pasim por vetëm ndryshimin e kahut të lojës, në mesfushë ishim të varfër se mungonin pikat para, nuk kishim pika pasimi. Ndoshta edhe për meritë të kundërshtarit, por lojtarët tonë me nivel teknik të mos posedojmë topin, është problem që nuk shkon më të flasësh për taktikë.
Nuk e kemi hequr këmbën nga gazi, por kem pasur stacione ku na kanë zbritur lojtarë me dëmtime apo me temperatura apo viruset e stinës. Sot na mungonte edhe Bregu, kur mungojnë 6-7 lojtarë të formacionit, sado të mbash këmbën te gazi, xhirot janë të avashta. Besoj që nga java tjetër të na kthehen disa lojtarë, duke shpresuar që të mos na sëmuret ndonjë tjetër, por me plotësimin e kontingjentit do të kthehemi me atë këmbën në gaz. Me Vllazninë? Shpresojmë të na kthehet një apo dy lojtarë”, tha Daja.
LEXO EDHE: Trajneri Gjoka pas humbjes së Skënderbeut: “Gabova në interpretim”/ Moriero: Duhet të përmirësohemi
Trajneri i Teutës, Bledar Devolli, ka theksuar se nuk e pëlqen barazimin e sotëm ndaj Dinamos, edhe pse është një prej skuadrave pretendente të kampionatit.
“Normale nuk na kënaqi rezultati se na duhen pikët. Por e rëndësishme është që sot po krijojmë një identitet si ekip, që kur nuk kemi topin do vrapojmë e sakrifikojmë të gjithë. Kur të kemi topin, të shkojmë sa më shpejt të porta kundërshtare, kështu e kishim përgatitur. Në pjesën e parë më shumë volum se raste, në pjesën e dytë patëm disa mundësi, e rëndësishme është që po krijojmë identitet, kjo më pëlqen. Pastaj rezultatin nuk e kemi ne në dorë.
Zogos e njoh se e kam pasur te Kukësi, është lojtar i mirë, qendër e mbrojtjes. Nganjëherë është ccështje fati, me fatin nuk hamë dot inat. Kemi lojtarë të tjerë që do na shërbejnë se në këto kushte që jemi, do na duhen patjetër pikë.
Dinamo ka cilësi, filozofi loje, shpesh ndërrojnë dhe nuk luajë me një sistem, fusin katër sulmues brenda. Kishim informacion që mund të luajnë me romb, morëm masat. Në pjesën e parë bëmë presing lart, por ekipi nuk mund të bëjë 90 minuta presing lart se torturohet, zgjatet e bën gabime. E menaxhuam mirë, nuk lamë hapësira për cilësitë që kanë lart të na rrezikonin. Kjo më pëlqen te ekipi që po krijojmë identitet, këtë kërkoj që të jemi bllok, sakrifikojmë të gjithë se një ekip futbolli kështu duhet të funksionojë. Goditje standarte? Ne kemi shtatlartësi, po punojmë t’i shfrytëzojmë se fitohet ndeshja me to, nuk ishte e thëne t’i shfrytëzonim sot.
Nga nesër të përulur në stërvitje, të vazhdojmë, vërejtjet i bëjnë mirë ekipit. Këtë herë kishim një javë në dispozicion, jam i kënaqur nga dëshira e entuziazmi. Nëse një ekip nuk ka dëshirë e entuziazëm, është e kotë të vazhdojmë”, tha Devolli.