Për vitin 2025, 61 bashkitë e vendit kanë përfituar një fond prej 2,1 miliardë lekësh apo rreth 21 milion euro për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri, përmes transfertës së pakushtëzuar nga Buxheti i Shtetit. Krahasuar me vitin e kaluar, fondi është rritur me 36%.
Bashkia përfituese me fondin më të lartë për mbrojtjen nga zjarri është Tirana me rreth 275 milion lekë për 2025-ën apo 104% më shumë se më 2024-ën. Tirana ka 13% të totalit të fondit për mbrojtjen nga zjarri që iu shpërndahet bashkive nga transferta e pakushtëzuar. Ndërkaq ndiqet nga Bashkia e Durrësit që ka përfituar 94,5 milion lekë fonde, rreth 63% më shumë se më 2024-ën. Durrësi ka 5% të totalit të fondit.
Bashkitë e tjera përfituese të fondeve më të larta janë Kukësi me 75,3 milion lekë apo 19,6% më shumë se më 2024-ën. Fondi i dhënë për këtë bashki zë 4% të totalit të fondit të transfertës së pakushtëzuar. Bashkia e Elbasanit përfitoi për 2025-ën fondin me vlerë 70,2 milion lekë apo 74.6% më shumë se më 2024-ën.
Në Fier, fondet për mbrojtjen nga zjarri ishin 64,3 milion lekë me rritje 63%. Në Vlorë, bashkia përfitoi 63,6 milion lekë apo 31% më shumë. Në Kamëz, 61,3 milion apo 16% më shumë se vitin e kaluar; Në Lezhë, fondi është 52,1 milion lekë apo 21% më shumë se më 2024-ën, dhe Korçë me vlerë 43,9 milion lekë, me rritje 25%.
Pavarësisht fondeve që u akordohen bashkive për mbrojtjen nga zjarri, sipas Drejtorit Ekzekutiv të Institutit të Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali, sistemi mbetet i dobët dhe i pambështetur në teknologji moderne. Haxhimali thotë se financimi shkon kryesisht për rroga, sigurime shoqërore e karburant, ndërsa makineritë dhe pajisjet janë të amortizuara.
Mungon infrastruktura në terren, nuk ka flotë ajrore dhe teknologjia për zbulimin e hershëm të zjarreve është pothuajse inekzistente. Shërbimi pyjor është shpesh i neglizhuar dhe investimet në korridore sigurie, rrugë ndërhyrjeje apo stacione uji janë minimale. Në këtë situatë, bashkitë janë të mbingarkuara e të pafuqishme përballë rreziqeve që vijnë nga zjarret, sidomos në zonat pyjore e malore.
Gjatë vitit 2024, Shqipëria u përball me një nga sezonet më të rënda të zjarreve, me mbi 46 mijë hektarë pyje dhe kullota të djegura sipas të dhënave të raportit të Institutit të Bashkive “Për qeverisjen Vendore. Raport mbi situatën aktuale 2024”. Në dokument theksohet se pothuajse gjysma e bashkive nuk kishin as plane menaxhimi për pyjet që administrojnë.
Sipas të dhënave të raportit të Institutit të Bashkive, mesatarisht, në Shqipëri kemi më pak se një zjarrfikës për 1,500 banorë dhe më pak se një automjet zjarrfikës për 10,000 banorë. Situata është më e rëndë në bashkitë e mëdha si Tirana, për shkak të përqendrimit të popullsisë, ndërsa shumë bashki të vogla ndonëse me më shumë personel për frymë, kanë vështirësi infrastrukturore e territoriale për ndërhyrje.
Të dhënat tregojnë se bashkitë e vogla kanë më shumë zjarrfikës dhe automjete zjarrfikëse për frymë sesa bashkitë e mëdha. Kjo mund të lidhet me shpërndarjen e popullsisë në zona rurale, ku distancat janë më të mëdha dhe infrastruktura rrugore më e vështirë.
Tirana ka numrin më të ulët të zjarrfikësve dhe automjeteve zjarrfikëse për frymë, gjë që mund të shpjegohet me përqendrimin e popullsisë dhe infrastrukturën më të zhvilluar rrugore në kryeqytet. Mesatarja kombëtare është më e afërt me treguesit e bashkive të mëdha, duke treguar se këto të fundit kanë një ndikim më të madh në përllogaritjen e saj.
Duke pasur parasysh se buxheti për mbrojtjen nga zjarri është i kufizuar dhe shpërndarja e burimeve nuk është e njëtrajtshme, Instituti për Bashkitë Shqiptare rekomandon rritjen e transfertave sektoriale për këtë funksion.
Kjo përfshin: shtimin e fondeve për modernizimin e flotës së automjeteve zjarrfikëse, veçanërisht në bashkitë me infrastrukturë të vështirë; mbështetje financiare për rritjen e numrit të zjarrfikësve në raport me popullsinë dhe nevojat specifike të secilës bashki; krijimin e një fondi të veçantë për emergjencat zjarrfikëse, që bashkitë mund ta përdorin për të përballuar situatat kritike; hartimin e planeve të detajuara për menaxhimin e rrezikut nga zjarret, të përshtatura sipas karakteristikave të secilës bashki; kapacitete në këtë sektor për shuarjen e zjarreve në pyje, pasi kjo përbën një tipologji të ndryshme nga zjarret urbane./ Monitor