Federata Shqiptare e Basketbollit ka reaguar pas deklaratës së Partizanit të femrave. Të kuqet treguan se i është refuzuar shtyrja e ndeshjes me Tiranën, ndërsa një pjesë e ekipit po vuan problemet shëndetësore për shkak të viruseve.
Federata ka treguar se pretendimet e Partizanit, nuk bazohen në raport mjekësor.
Njoftimi i Federatës:
“Federata Shqiptare e Basketbollit dëshiron të informojë dhe të sqarojë publikun dhe të gjithë të interesuarit lidhur me zhvillimin e ndeshjes së Ligës Unike për femra midis ekipeve Tirana dhe Partizani, e cila do të luhet sot, më 21 janar 2025, në ora 17:00, në Pallatin e Sportit “Farie Hoti”.
Fillimisht, ndeshja ishte planifikuar të zhvillohej më 16 dhjetor 2024, por me kërkesë të ekipit të Partizanit për arsye të veçanta, Federata vendosi të pranojë shtyrjen e saj.
Pas këtij ndryshimi, ndeshja u riplanifikua për datën 14 janar 2025. Megjithatë, edhe kjo datë u ndryshua me kërkesë të ekipit të Tiranës, i cili argumentoi pamundësinë për të luajtur atë ditë. Ndeshja u caktua me date 21 janar 2025, si dhe u terhoq vemendje per ekipet qe te sigurojne zhvillimin e saje pasi nuk do mund te kete me shtyerje.
LEXO EDHE: Sukseset e Lara Colturit, zë vendin e 4-ët në ndalesën e Kupës së Botës në Kronplatz!
Gjithashtu, lidhur me pretendimin e ekipit Partizani per situaten shendetsore te lojtareve, FSHB shpreh keqardhjen dhe uron ne sherim te shpejt, por deri me sot ne diten e ndeshjes nuk disponojme asnje raport mjeksor per sa me siper.
Theksojmë se Federata Shqiptare e Basketbollit synon dhe promovon githmone frymën e bashkëpunimit me të gjitha ekipet pjesëmarrëse, duke siguruar një mjedis të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Çdo vendim i marrë nga Federata ka për bazë rregulloret, si dhe duke u përpjekur të përmbushë në mënyrën më të mirë nevojat dhe kërkesat e ekipeve”.
Ja deklarata e plotë e bërë nga Partizani i basketbollit të femrave në lidhje me këtë çështje:
“Ekipi i parë i femrave është mbërthyer nga virusi, i cili ka detyruar vajzat të ndalojnë stërvitjen prej 5 ditësh. Në rrethana të tilla kemi lajmëruar FSHB-në, si organ përkatës për shtyrje të ndeshjes së Ligës Unike, ndeshje e cila është e prapambetur, pasi duhej të ishte luajtur më datë 14 janar, por u shty pas kërkesës së ekipit të Tiranës për arsye personale, kërkesë, e cila u pranua edhe nga ne. Ndërsa sot bie poshtë kërkesa për të shtyrë ndeshjen për disa ditë, deri në përmirësim të gjendjes shëndetësore të vajzave tona, pasi ajo nuk pranohet nga përfaqësuesit e FSHB-së, si dhe nga Tirana. Jeta dhe shëndeti i çdo sportisti është mbi egot personale për fitore të një takimi sportiv. Kështu që në ndeshjen e sotme do të mungojnë lojtaret: Ornela Lalaj, Sarah MgBeike, Shaylin Hagans, Hanna Akten, Ketjona Fekollari dhe Livia Gjata. Urojmë që një ndeshje me ekipin U-18 të Partizanit t’i shërbejë skuadrës së Tiranës dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit”, shkruan Partizani i basketbollit të femrave në deklaratën e bërë pas mospranimit për shtyrjen e derbit në kompeticionin mbarëkombëtar”.