Bota

I nxehti në Europë, piku i anticiklonit subtropikal!

Një valë e të nxehtit anormal dhe shkatërrues ka përfshirë Europën prej një jave tashmë. Në Itali, Milano po përjeton temperatura 10 gradë Celsius më të larta se mesatarja historike. Në Romë, ndryshimi është pak më poshtë se 10 gradë, ndërsa në kryeqytetin francez Paris, temperaturat janë deri në 20 gradë mbi mesataren.

Temperatura maksimale e regjistruar është më e lartë se në qytetet që zakonisht shoqërohen me nxehtësi intensive tropikale dhe lagështi të lartë, si Bangkoku i Tajlandës.

18 qytete italiane ende janë në listën e kuqe dhe vizitat në urgjencë po rriten ndjeshëm. Po në Europë, Franca dhe Spanja kanë raportuar dhjetëra vdekje gjatë përballjes me nxehtësi ekstreme prej ditësh.

Agjencia franceze e Shëndetit Publik njoftoi se pati rreth 1 mijë vdekje më shumë se zakonisht që nga 24 qershori, teksa vendi u vu nën presion për shkak të nxehtësisë përvëluese.

Megjithatë, nga sot, Franca përjeton një mot më të durueshëm. Stuhitë e forta të natës së kaluar prekën disa rajone, duke shkaktuar rënie të ndjeshme të temperaturave.

Në Gjermani, është arritur një rekord prej 41.5 gradësh Celsius.

29.4 gradë Celsius. Kjo është temperatura më e ulët rekord gjatë natës që nga fillimi i regjistrimeve në shtetin gjerman. Sipas Shërbimit Meteorologjik, 29.4 gradë Celsius u regjistruan në Kubschutz, në Bautzen të Saksonisë lindore.

Rekordi i mëparshëm i natës datonte që nga 13 gushti 2003, kur 27.2 gradë Celsius u regjistruan në rajonin Weinbiet të Rheinland-Pfalz/it.