François Bayrou mbërriti mesditën e sotme në Pallatin Élysée për t’i dorëzuar dorëheqjen e tij presidentit Emmanuel Macron, një ditë pas rrëzimit të qeverisë së tij në Asamblenë Kombëtare të Francës. Ai u largua rreth një orë e gjysmë më vonë.
Gazetarë të Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP) raportuan se makina që transportonte Bayrou-n kaloi portat e pallatit presidencial pak para orës 13:30 sipas kohës lokale.
Me vetëm nëntë muaj në detyrë, qeveria e Bayrou u rrëzua pasi nuk arriti të sigurojë votëbesimin në Asamblenë Kombëtare, 194 vota pro, përkundër 364 kundër, duke zhytur Francën sërish në një krizë politike.
Rrëzimi i Bayrou e bën atë kryeministrin e gjashtë që largohet gjatë presidencës së Macron, pas Édouard Philippe, Jean Castex, Élisabeth Borne, Gabriel Attal dhe Michel Barnier.
Ky ndryshim i shpeshtë i kryeministrave tregon vështirësinë e presidentit për të ruajtur një balancë të qëndrueshme në Asamblenë Kombëtare, veçanërisht pas zgjedhjeve që nuk prodhuan një shumicë absolute.
Megjithatë, Macron ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Në një deklaratë zyrtare ai theksoi se “ka marrë parasysh rezultatin” dhe se do të emërojë një kryeministër të ri “në ditët në vijim”. Sipas burimeve të AFP, vendimi mund të shpallet edhe gjatë ditës së sotme.
Emrat që po shqyrton presidenti francez
Në Paris qarkullojnë me intensitet skenarët për pasuesin e Bayrou. Kandidatë favoritë janë figura me përvojë dhe marrëdhënie të ngushta besimi me Macron, si ministri i Drejtësisë Gérald Darmanin dhe ministri i Mbrojtjes Sébastien Lecornu. Në listë përmenden gjithashtu ministrja e Shëndetësisë Catherine Vautrin dhe ministri i Financave Éric Lombard.
Sipas burimeve të Politico, emri i Lecornu është diskutuar të hënën në Pallatin Élysée. Lecornu, një nga figurat e para që iu bashkua Macron-it, ka arritur të mbajë pozicionin e tij në disa rikonfigurime qeveritare, një fakt që forcon imazhin e tij si një zgjedhje e besueshme.
Edhe pse emri i tij është përmendur edhe më parë për postin e kryeministrit, kësaj radhe duket se ka më shumë gjasa. Bashkëpunëtorë të afërt të tij theksojnë se “kushtet janë më të favorshme, por asgjë nuk konsiderohet e sigurt deri në marrjen e vendimit përfundimtar”.