Aktualitet Bota

BE e shqetësuar pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Von der Leyen: Turqia aspiron integrimin, të respektojë parimet demokratike

Bashkimi Evropian shpreh shqetësimin me situatën e krijuar në Turqi, ku kryebashkiaku i Stambollit u vu në pranga. Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, tha se arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit është “thellësisht shqetësues”.

“Si një anëtare e Këshillit të Evropës dhe një kandidate për anëtarësim në BE, Turqia duhet të mbështesë vlerat demokratike, veçanërisht të drejtat e zyrtarëve të zgjedhur.

Pra, ne duam që Turqia të mbetet e përkushtuar ndaj Evropës, por kjo kërkon një angazhim të qartë ndaj rregullave dhe praktikave demokratike dhe është thelbësore që Turqia të respektojë këto parime themelore,” tha Ursula von der Leyen.

LEXO EDHE: Reuters: Tregjet turke në panik pas arrestimit të rivalit kryesor të Erdogan. Ekonomia rrezikon kolapsin

Edhe Këshilli i Europës tha sot se “dënon ashpër” arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, një kundërshtar kyç politik i presidentit Recep Tajip Erdogan, si një masë që shkon kundër vullnetit të popullit.

Në një deklaratë, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës tha se arrestimi i Imamoglu “mbart të gjitha shenjat e presionit ndaj një figure politike”, duke shtuar se Kongresi do ta ngrejë çështjen në një seancë javën e ardhshme.

Kujtojmë se Imamoglu u arrestua sot pasi dyshohet se ka qenë kreu i një organizate kriminale.