Sport

BE konfirmon mbështetje për Ballkanin/ Samiti i Tivatit, Rama kërkon qasje të re për zgjerimin. Von der leyen: Shqipëria po ecën shpejt!

Samiti i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor në Tivat të Malit të Zi u mbyll pa miratimin e një deklarate të përbashkët, por unioni doli me një komunikatë, në të cilën u tha se liderët evropianë mirëpritën reformat në vazhdim dhe riafirmuan përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit të BE-së, të bazuar në merita.

Përmes komunikatës u njoftua për nisjen e një bashkëpunimi më të ngushtë ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike, me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë ndaj kërcënimeve kibernetike.

Nisja e një programi të ri të mobilitetit, i financuar nga BE-ja së bashku me Shkollën Rajonale për Administratë Publike, do t’u mundësojë deri në 100 nëpunësve civilë nga Ballkani Perëndimor të fitojnë përvojë profesionale në administratat e shteteve anëtare të BE-së.

Po ashtu, u bë i ditur edhe synimi i Komisionit Evropian që programin DiscoverEU, i cili përfshin ofrimin e biletave falas të udhëtimit për të rinjtë 18-vjeçarë, ta zgjerojë për të rinjtë nga të gjitha vendet e rajonit duke filluar nga viti 2027.

U konfirmua gjithashtu se Komisioni Evropian ka përgatitur hapat e radhës drejt krijimit të marrëveshjeve për roaming ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Në fokus të samitit ishte edhe zgjerimi i Bashkimit Evropian me gjashtë vendet e rajonit, ku u veçua progresi i Shqipërisë dhe Malit të Zi.

“Zgjerimi bazohet në meritë, por kjo nuk do të thotë se duhet të jetë i ngadaltë. Në fakt, ai duhet të bëhet më i shpejtë, më i besueshëm dhe më i dukshëm për qytetarët, si në vendet kandidate ashtu edhe në shtetet anëtare të BE-së. Tani ekziston një moment shumë i përshtatshëm të cilin ne duhet ta kthejmë në veprim konkret, e më pas në anëtarësim. Edhe Mali i Zi dhe Shqipëria po bëjnë punë shumë të mirë dhe janë afër qëllimit të tyre”, tha Von der Leyen.

Nga Tivati, ku mori pjesë në samit, kryeministri Edi Rama i përcolli një mesazh Bashkimit Evropian për procesin e zgjerimit.

“BE-ja duhet të gjejë kurajën për një moment të ri si ai i Helmut Kohlit: të gjithë bashkë rreth tryezës, secili duke përmbushur detyrat e veta për të marrë më shumë përgjegjësi dhe përfitime. Nëse Europa dëshiron t’i dërgojë një mesazh të fortë botës dhe t’i japë energji vetes, duhet të thotë se, ashtu siç jemi sot të gjithë rreth së njëjtës tryezë, duhet të jemi gjithmonë aty, secili me statusin e vet, derisa të bëhemi anëtarë të plotë”, tha Rama.

Në komunikatën e Bashkimit Evropian pas samitit u theksua se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten thelbësore për përfitimin e të gjitha avantazheve të integrimit më të afërt. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes.