Presidenti rus Vladimir Putin ka vënë në dyshim origjinën e dronit që u rrëzua në një pallat në Rumani, duke sugjeruar se ai mund të ketë qenë ukrainas dhe jo rus.
“Kush thotë se është një dron rus? Kush saktësisht? Ursula von der Leyen. Epo, ajo nuk shkoi në Rumani, nuk kreu një hetim. Ajo nuk shqyrtoi rrënojat e dronit”, tha Putin.
Më herët, autoritetet rumune deklaruan se një dron plagosi dy persona në një qytet në juglindje të vendit, gjatë një sulmi rus gjatë natës ndaj Ukrainës fqinje.
Putin u tha gazetarëve se sapo ishte informuar për incidentin dhe shtoi se nuk dihet ende se çfarë lloji droni ishte.
Ai argumentoi gjithashtu se mbetjet e dronit duhet t’i dorëzohen Rusisë, në mënyrë që Moska të kryejë një hetim të pavarur mbi incidentin.
Ai tha gjithashtu se dronët ukrainas kishin fluturuar më parë mbi Finlandën, Poloninë dhe shtetet baltike.
Hipoteza e “një aksidenti” nuk bind një pjesë të madhe të vendeve europiane, veçanërisht ato që janë gjeografikisht më pranë Rusisë. Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, i thotë Corriere-s: “Moska dëshiron të na vërë në provë, dëshiron të testojë reagimin tonë, me synimin për të mbjellë përçarje mes nesh europianëve”. Ndërsa homologu i tij lituanez, Kęstutis Budrys, duke folur po ashtu për gazetën italiane, shton: “Kremlini po ndërton një fushatë krejtësisht të rreme për të akuzuar Lituaninë dhe vendet e tjera baltike se po ofrojnë bazat ajrore nga ku nisen dronët ukrainas drejt territorit rus. Është qartësisht një përpjekje për të na atribuar përgjegjësi që nuk i kemi dhe për të na nxjerrë në dritë të keqe edhe përballë partnerëve tanë europianë”.
Në thelb, droni rus që goditi një qytet në Rumani do të ishte pjesë e një strategjie më të gjerë, e cila synon edhe të frikësojë opinionin publik, duke ushqyer shtysën – që ekziston tashmë edhe në Itali – për të zbutur mbështetjen ndaj Ukrainës.