Bashkimi Europian do të dërgojë një mision për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare në Kosovë më 9 shkurt të vitit 2025, me kërkesë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Njoftimin e dha sot blloku europian.
Duke iu përgjigjur ftesës nga ana e presidentes së Kosovës, përfaqësuesja e lartë Kaja Kallas ka vendosur të dërgojë një mision për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare të caktuara për më 9 shkurt të vitit të ardhshëm. Nathalie Loiseau, deputete e Parlamentit Europian është emëruar shefe e misionit vëzhgues.
Bashkimi Europian vuri në dukje se misioni i tij vëzhgues për zgjedhjet në Kosovë do të dëshmojë mbështetjen e vendosur të BE-së për Kosovën, në përpjekjet e këtij vendi për të forcuar më tej qeverisjen demokratike.
Prania e këtij misioni në terren ka për qëllim të kontribuojë për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, i cili do t’u mundësojë votuesve në Kosovë që të shprehin qartë zgjedhjen e tyre, vihet në dukje në njoftim.
Bashkimi Europian i ka vëzhguar të gjitha zgjedhjet në Kosovë që nga viti 2013. Këto do të jenë të parat zgjedhje të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë, në vitin 2008.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) ka bërë të ditur se 28 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Në mesin e 28 subjekteve politike janë 20 parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare, si dhe një kandidat i pavarur.
Në mesin e subjekteve janë parti shqiptare, të komunitetit serb, si dhe komuniteteve të tjera më të vogla në Kosovë. KQZ-ja duhet t’i konfirmojë listat deri në datën 25 dhjetor.