Bota

BE-ja miraton paketë e re të sanksioneve ndaj Rusisë!

Zyrtarisht, vendet e BE-së sot miratuan paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë për luftën në Ukrainë e që përfshin edhe ndalimin e importeve të gazit natyror të lëngshëm rus. Miratimi i paketës nga 27 vendet e BE-së, erdhi pak orë pas heqjes së bllokimit nga Sllovakia.

Eshtë një paketë e rëndësishme që synon burimet kryesore të të ardhurave të Rusisë përmes masave të reja energjetike, financiare dhe tregtare, deklaroi presidenca daneze e BE-së.

Ndalimi do të hyjë në fuqi në dy faza: kontratat afatshkurtra do të përfundojnë pas gjashtë muajsh, ndërsa kontratat afatgjata nga 1 janari 2027.

Po ashtu, sanksionet përfshijnë futjen e cisternave ruse të naftës në listën e zezë dhe kufizime udhëtimi për diplomatët rusë. Kjo është paketa e 19-të e sanksioneve që BE-ja ka vendosur që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022.

Ato u prezantuan muajin e kaluar nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila tha se blerja e karburanteve fosile nga Rusia po financon luftën ruse.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Rosneft-it dhe Lukoil-it, dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi, në një përpjekje për të ulur të ardhurat që financojnë luftën e Moskës kundër Ukrainës. Ky është raundi i parë i sanksioneve ndaj Rusisë që kur presidenti amerikan Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar të këtij viti.

Sipas deklaratës së sekretarit të Thesarit amerikan, Scott Bessent, sanksionet synojnë t’i japin fund një lufte “të pakuptimtë” dhe të detyrojnë Kremlinin të pranojë një armëpushim. Presidenti Trump konfirmoi gjithashtu se ka anuluar një samit të planifikuar me Vladimir Putinin, duke sinjalizuar një ftohje të re në marrëdhëniet SHBA–Rusi.