Shteteve anëtare të Bashkimit Europian, Brukseli zyrtar i propozoi raundin e 11-të të sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës ruse në Ukrainë prej shkurtit të vitit të kaluar. Zëdhënësi i Komisionit Europian, Eric Mamer:
Kjo paketë do të përqendrohet në zbatimin e sanksioneve, efektivitetin e tyre dhe si të parandalohet shmangia e sanksioneve.
Sanksionet e propozuara nga KE-ja synojnë ndalimin e eksporteve të teknologjisë së ndjeshme të tetë kompanive kineze, me dyshimet se po shesin një teknologji të tillë në Rusi. Pas dy ditësh, ambasadorët e BE-së do të takohen për të nisur bisedimet lidhur me raundin e ri të sanksioneve.
Të 27 shtetet e Bllokut europian kanë goditur Moskën me sanksione të ashpra, që kur presidenti rus, Vladimir Putin nisi pushtimin e Ukrainës. Por, shumë diplomatë europianë thonë se Unioni është pranë arritjes së limitit, sa i përket masave të gjera, që të gjithë anëtarët të mund të pajtohen.
Brukseli po përqendrohet që të mbyllen boshllëqet ligjore në paketat e sanksioneve. BE-ja dëshiron të godasë eksportet e teknologjisë së ndjeshme që bëhen nga shtetet e treta për në Rusi. Ky lloj i teknologjisë mund të përdoret për fushëbetejë e këtu përfshihen dhe mikroçipat.
Zyrtarët europianë janë ankuar se disa shtete, mes tyre Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por edhe ish-shtetet sovjetike në Kaukaz e në Azinë Qendrore, po përballen me sanksione ndaj disa mallrave që importojnë.
Në listën e sanksioneve të propozuara nga Blloku, për kufizim të eksporteve janë Armenia, Irani, Uzbekistani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Si pjesë e propozimit të ri, Bashkimi Europian po synon që të përmirësojë mënyrën se si ndëshkon shtetet që tentojnë të shmangin sanksionet.
Blloku po synon që të krijojë një mekanizëm që do të lejonte kufizimin e eksporteve të disa mallrave nga shtetet e treta e që dyshohen se i shërbejnë Rusisë.