Aktualitet

BE: Javën e ardhshme hapen negociatat me Shkupin dhe Tiranën/Reagon Blinken!

Liderët e Bashkimit Europian nuk e humbën sot rastin për të përshëndetur votimin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, në favor të propozimit francez. Zyrtarë të lartë paralajmërojnë se javën e ardhshme do të zhvillohen konferencat e para ndërqeveritare të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke hapur formalisht negociatat e anëtarësimit. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen:

Urime Maqedonisë së Veriut për votimin, i cili tashmë shtron rrugën për hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit. Ishte një rast historik dhe ju e shfrytëzuat atë. Një hap i madh drejt të ardhmes suaj, të ardhmes europiane.

Në të njëjtën linjë qëndrimi reagoi edhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.

E ardhmja jonë është e përbashkët dhe ne ju mirëpresim krahë-hapur. Votimi i 16 korrikut ishte një hap i madh i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.

Pritet që në të njëjtën kohë negociatat e anëtarësimit të nisin edhe për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mirëpritur vendimin e Shkupit dhe po ashtu ka paralajmëruar se javën e ardhshme Shqipëria do të nisë negociatat e anëtarësimit.

Ditën e sotme, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez, që i hap rrugën integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, prej më shumë se dy vitesh ka mbajtur në fuqi veton ndaj nisjes së negociatave të Shkupit me Brukselin, për shkak të mosmarrëveshjeve sa i përket gjuhës dhe historisë.

Për Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, tani që Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin, është koha për të ndërtuar vrull e për të punuar për hapat e mëtejshëm. Blinken beson në një BE më të fortë e më të begatë.