Rajoni

BE: Rusia po tenton të pengojë dialogun Kosovë-Serbi!

Ndërsa pas dy ditësh në Bruksel ritakohen Kurti dhe Vuçiç, jo për krizat, por për marrëveshje, Bashkimi Europian shprehet i shqetësuar se Moska po tenton të pengojë dialogun Kosovë-Serbi.  Një zyrtar i lartë i BE-së, i cili nuk pranoi të identifikohet iu tha mediave se “Rusia po tenton të destabilizojë rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndaj blloku europian dëshiron normalizim të shpejtë të raporteve mes Kosovës e Serbisë, që të zvogëlohet hapësira e Moskës në destabilizim”.

Përmes ambasadorit në Beograd, Rusia bëri disa reagime, duke kërkuar të mos pranohet propozimi europian e kjo të shtyhet që të mos krijohet rend i ri botëror. Këtë e shohim si kërcënim ndaj presidentit Vuçiç, që të mos e pranojë propozimin. Deri tani nuk shohim të ketë patur ndikim te Vuçiç, por te një pjesë e opozitës në Serbi.

Nuk duhet lejuar Rusia ta destabilizoj rajonin e Ballkanit Perëndimor. Duhet të dëshmojmë se BE-ja është në gjendje ta mbajë rajonin në gjirin e vet. E kemi neglizhuar rajonin për një kohë tepër të gjatë. Klima aty është shumë e vështirë, raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë të tensionuara e ka shumë probleme me mosnjohjen e dokumenteve. Kjo e pengon bashkëpunimin në rajon.

Presim që liderët ta miratojnë propozimin europian. Nuk duam të diskutojmë për propozimin dhe përmbajtjen e tij sepse ata e dinë që nga shtatori. Nuk ka hapësirë që të bien dakord për një pjesë e jo për tjerat. Por, jemi të hapur për të diskutuar modalitetet e zbatimit.

Pres që diskutimet më të vështira të jenë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Duhet që pa kushte, Kosova ta zbatojë këtë detyrim. Me pranimin e këtij propozimi nënkuptohet edhe pranimi i zbatimit të detyrimit për krijimin e Asociacionit. Vërtet kjo është një njohje de-facto e Kosovës.

Duhet ta ndërpresim ciklin e krizave. Kishim gjashtë kriza radhazi kohën e fundit. Në kohën e barrikadave në veri të Kosovës ishim shumë afër zjarrit. Tani është koha ta ndërpresim këtë e të kemi një dinamikë të re në raportet mes tyre.

Kurti dhe Vuçiç e pranuan në parim propozimin europian.