Në një takim të organizuar para fillimit zyrtar të Festivalit të Këngës në Eurovision në Bazel, Odette Hella’Grand, i bëri një pyetje përfaqësuesit të Norvegjisë, Kyle Alessandro, e cila shumë shpejt u bë virale. “Kënga juaj quhet ‘Lighter’, apo jo?”-e pyeti ylli i zhanrit ‘Drag Queen’, të cilës ai iu përgjigj: “Si një çakmak? A duhet gjithmonë të kërkosh një çakmak jashtë një klubi dhe të vjen ndërmend: ‘Do të shkruaj një këngë për një çakmak’?”-pyeti ajo.
“Në fakt bëhet fjalë për nënën time. Ajo u diagnostikua me kancer dy vjet më parë dhe më tha të mos e humbisja kurrë dritën time. Nga këtu lindi kënga ‘Lighter’”-shpjegoi ai. Shumë e kanë quajtur këtë momentin më të sikletshëm në edicionin e këtij viti të Festivalit të Këngës në Eurovision. Ndërkaq, gjysmëfinalja e parë e Festivalit të Këngës në Eurovision do të zhvillohet sonte në Bazel, duke filluar nga ora 21:00.

Kampioni aktual i Eurovision-it ka shprehur mbështetjen e tij ndaj thirrjes për të përjashtuar Izraelin nga gara e vitit 2025. Nemo Mettler, i cili përfaqësoi Zvicrën dhe fitoi konkursin në vitin 2024 me këngën The Code, kishte qenë më parë kritik ndaj pjesëmarrjes së Izraelit, për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme. Para edicionit të kaluar, Nemo iu bashkua thirrjeve për bojkot nëse këngëtarja izraelite Eden Golan do të lejohej të merrte pjesë në garë.
Më shumë se 70 artistë dhe muzikantë, të cilët dikur kanë përfaqësuar vendet e tyre në Eurovision, kanë nënshkruar një letër të hapur ku kërkojnë përjashtimin e Izraelit dhe transmetuesit të tij kombëtar, KAN, nga edicioni i këtij viti i Eurovision Song Contest. Pjesëmarrja e Izraelit në Eurovision ka qenë temë e debatit që nga viti i kaluar, për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme.
Tani, një letër e drejtuar Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU) është nënshkruar nga 72 muzikantë dhe performues të lidhur me këtë festival. Në këtë letër, organizatorëve u bëhet thirrje që ta përjashtojnë Izraelin dhe transmetuesin e tij publik për shkak të, siç thuhet në dokument, “gjenocidit kundër palestinezëve në Gaza dhe regjimit shumëvjeçar të aparteidit dhe pushtimit ushtarak ndaj të gjithë popullit palestinez”.